Home LAJME 100 mijë veta morën letërnjoftime biometrike

100 mijë veta morën letërnjoftime biometrike

Janë bërë rreth pesë muaj prej se kanë filluar të shpërndahen letërnjoftimet biometrike të Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme deri më tani janë prodhuar 76 mijë e 657 letërnjoftime biometrike, që tregon se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për t’u pajisur me to.

Megjithëse letërnjoftimet biometrike janë të një kualiteti të lartë dhe të avancuara, disa institucione të Kosovës ende nuk kanë arritur tëzhvillojnëshërbimet elektronike për përdorimin e të dhënave biometrike.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, ka thënë për KosovaPress se ky trend i letërnjoftimeve biometrike ka ndodhur në vendet e rajonit, që po zhvillohet edhe në Kosovë. Sipas tij, ky është një kriter që iu është vënë Kosovës për lëvizje të lirë brenda BE-së. Një transformim i tillë, sipas tij, është një punë e mirë nga administrata e Qeverisë së Kosovës, megjithëse është dashtë të bëhet edhe rritja e kapaciteteve teknike.

“Ky është një trend që ka ndodhur në vendet e rajonit, kemi parë që ekziston një transformim gjoja i madh nga letërnjoftimet manual ose letërnjoftimet që një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë tek ata biometrik. Nuk janë vetëm letërnjoftimet, janë edhe pasaportat. Kjo është një kriter brenda lëvizjes së lirë brenda BE-së. Besoj që si transformim i tillë administrata kosovare, e Qeveris së Kosovës ka bërë një punë, megjithëse prapë me problem sepse është dashtë një rritje e kapaciteteve teknike”, ka shtuar Zogaj.

Zogaj ka thënë se procesi i transformimit me pasaporta dhe letërnjoftime biometrike, nuk është bërë me intensitetin dhe përkushtimin e duhur deri më tani. Megjithatë, sipas tij, ky proces nuk ka se si mos të përfundoj në një të ardhme të afërt sepse është kriter për liberalizim të vizave.

“Kjo kish me ndihmuar që tek procesi i liberalizimit të vizave, kish me ndihmuar te qarkullimi i lirë i qytetarëve në vendet e rajonit, ku ne vetëm qarkullojmë lirshëm siç është rasti në tri shtetet që na rrethojnë. Pra, është një hap që gjithsesi është dashtë me u bë, nuk është bërë në intensitetin dhe përkushtimin e duhur deri më tani, mirëpo nuk ka se si mos të përfundoj në një periudhë shumë të afërt sepse është kriter për liberalizimin e vizave”, ka shtuar Zogaj.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme Roksana Qarri, ka thënë për KosovaPress se përparësitë e letërnjoftimit biometrik, janë të shumta në krahasim me të mëparshmin dhe ka interesim të madh të qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime të reja.

“Përparësitë janë të shumta që mund t’i shfrytëzojnë qytetarët duke filluar nga pikë kalimet kufitare, deri në shërbimet elektronike për ato institucione të cilat kanë arritur tëzhvillojnë aplikacionet për përdorimin e të dhënave biometrike në letërnjoftimet biometrike të Kosovës”, ka thënë ajo.

Edhe pse është thënë se qytetarët do të përfitojnë nga ky lloj letërnjoftimi duke e kaluar kufirin vetëm me letërnjoftim, pa pasaportë, tash për tash kjo lëvizje e lirë mund të bëhet vetëm me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Sipas Qarrit, deri më tani nuk ka pasur falsifikim të letërnjoftimeve biometrike. Ndërsa, sipas Zogaj, ende nuk është par ndonjë aferë korruptive gjatë transformimit të letërnjoftimeve siç ka ndodhur në shtypjen e pasaportave biometrike.

Ai shpreson që mos të këtë rast të tillë pasi që do të dëmtohet Kosova, jo vetëm si imazh por edhe në relacionet me shtetet e caktuara.

“Shpresoj të mos kemi sepse kjo e dëmton shtetin e Kosovës e ka dëmtuar një imazh para një viti e sa Kosovën, jo vetëm si imazh por i ka dëmtuar edhe relacionet me shtetet e caktuara. Unë shpresoj që të mos ketë sepse jemi në një fazë kritike të negocimit tëlirisë së lëvizjes, me Bashkimin Evropian, dhe kjo fazë nuk do të duhej me u shoqëruar edhe me afera të tilla sepse përpos që i dëmton qytetarët përmes taksave, e dëmton edhe shtetin në tërësi, dhe e dëmton qytetarin e Kosovës me lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Zogaj.

Ndryshe, në letërnjoftimet biometrike përfshihen të dhëna unike që paraqesin karakteristikat unike të individit. Kostoja për mbulimin e shpenzimeve të përgjithshme për t’u pajisur me letërnjoftim biometrik është 10 euro.

Në Departamentin e Regjistrimit të Gjendjes Civile,sipas Qarrit, deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë me shkrim nga ndonjë palë për çmimin e letërnjoftimit biometrik.

Kurse, Zogaj, ka shtruar se do të duhej që në një periudhë të afërt institucionet të kenë edhe mjetet teknologjike që të lexohen letërnjoftimet biometrike.

Previous articleBomba e quajtur Nora Istrefi
Next articleDuhanpirja, shkaktari madhor i kancerit në botë