Halloween, Nju Jorku pushtohet nga zombit dhe shtrigat

Halloween është një festë masive amerikane që vitet e fundit është eksportuar me shpejtësi në shumë vende të tjera të botës. E kush më mirë se amerikanët mund ta festojë atë? 

Mijëra persona dolën në rrugët dhe sheshet e Nju Jorkut mbrëmjen e 31 tetorit. Karakteri i preferuar prej shumicës ishte zombie, por nuk mungonin shtrigat apo personazhe të tjerë të influencuar nga kinemaja apo librat.

Në këtë ditë, njërëzit maskohen frikshëm në kujtim dhe nderim të të vdekurve, ose njohur ndryshe në kalendarin e të krishterëve perëndimorë si Dita e “All Hallows Eve”. Festimet e para të saj datojnë që në Mesjetë në Skoci dhe Irlandë. Komuniteti skocez dhe vecanërisht ai irlandez që emigroi në Shtetet e Bashkuara sidomos në fillim të shekullit të 20-të, mori me vete edhe këtë traditë.

Me kalimin e viteve kjo festë në Shtetet e Bashkuara nuk ishte më ekskluzive vetëm e irlandezëve dhe skocezëve, por u masivizua. /RadioRINIA/