Home LAJME A do të pranojë Fatmir Sejdiu ta sfidojë Isa Mustafën?

A do të pranojë Fatmir Sejdiu ta sfidojë Isa Mustafën?

Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjës Demokratike të Kosovës janë pa legjitimitet pasi që mandati katërvjeçar u ka skaduar, mirëpo ende nuk ka datë zyrtare për mbajtjen e Kuvendit të ri zgjedhor.

Kryetari Isa Mustafa dhe anëtarët e kryesisë së LDK-së e kanë arsyetuar mosmbajtjen e Kuvendit zgjedhor me krizën institucionale. Sipas tyre, me të krijuar institucionet e reja shtetërore, LDK-ja do ta thërras Kuvendin e partisë.

Nuk dihet nëse Isa Mustafa sërish do të kandidojë për kreun e LDK-së, pasi që para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit, ai kishte premtuar se do të largohet nga ky post nëse I humb zgjedhjet.

Brenda anëtarësisë dhe disa drejtuesve të partisë ka pakënaqësi me Mustafën, duke kërkuar që të bëhen ndryshime si ne kreun ashtu edhe në drejtuesit tjerë të partisë, konkretisht ndyshimi i përbërjes së kryesisë aktuale.

Ende askush nuk është deklaruar zyrtarisht si kandidat i mundshëm, por ka zëra se njëri ndër kandidatët mund të jetë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Mirëpo, duke e ditur afërsinë e Lutës me Mustafën, do të jetë e vështirë që ai t’i dalë në mejadan shefit aktual.

Ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, në disa raste është deklaruar hapur kundër Isa Mustafës, megjithatë nuk është deklaruar se do të rikandidojë për ta marrë udhëheqjen e partisë.

Në LDK, janë disa zëra të fuqishëm që dëshirojnë ta shtyjnë përpara Sejdiun, pasi që atë e konsiderojnë si udhëheqësin me besnik të përhapjes së frymës rugoviane, frymë kjo që që sipas tij, është venitur gjatë udhëheqjës së Mustafës.

Pakënaqësia rreth Isa Mustafës është rritur edhe më shumë pas arritjes së koalicionit me PDK-në. Kjo sidomos në mesin e disa deputetëve të LDK-së, të cilët hapur kanë thënë se nuk do të votojnë ‘pro’. Janë deputetet Vjosa Osmani dhe Doruntina Maloku, të cilat kanë njoftuar se nuk e mbështesin Mustafën për këtë koalicion.

Previous article​Këshilli i Sigurimit pasdite diskuton për Kosovën
Next articleGjykata Speciale lë nën hije prioritetet e Qeverisë