A është e mundur të vdesësh nga një zemër e “thyer”?

Në vitin 1986 një grua 44-vjeçare u shtrua në spital sepse nuk ndihej mirë gjatë gjithë ditës. Ajo ndjente një dhimbje dërrmuese në kraharor, që i vinte nga krahu i majtë.

Kjo ishte një shenjë klasike ataku kardiak, por gjëja e mahnitshme qe se, pas disa analizave, u zbulua që gruaja nuk kishte asnjë problem në zemër. Në fillimin e asaj dite zonja kishte marrë vesh se djali i saj 17 vjeç ishte vetëvrarë! Mjekët u përpoqën atëherë që të kuptonin nëse kjo dhimbje torturuese mund të ishte e lidhur me ngjarjen tragjike që shënoi jetën e gruas.

Pas disa argumenteve u arrit në përfundimin se, ka shumë të ngjarë, që dhimbja fizike e zonjës mund të lindte nga zemra e saj e “thyer”. Ndërkaq kjo ndodh jo vetëm te njerëzit, por edhe në botën shtazore. Disa biologë dhe veterinerë për herë të parë zbuluan se emocionet ekstreme mund të bëjnë kërdinë në pjesën fiziologjike të qenieve të gjalla.

Ata arritën në këtë përfundim, sepse kur një kafshë, sulmohej nga një grabitqar, ajo prodhonte një sasi të lartë adrenaline që mbushte rrjedhjen e gjakut deri në pikën sa gjaku bëhej gati si një helm që dëmtonte muskujt e kafshëve, duke përfshirë zemrën. Kjo është një dëshmi e lashtë e cila tregon se një “zemër e thyer” mund të dëmtojë pjesën fiziologjike të një gjallese.