Home LAJME AAK: Qeveria e Kosovës dështoi në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

AAK: Qeveria e Kosovës dështoi në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe vendeve të Trashëgimisë Kulturore. Kjo ditë është shpallur e tillë nga ICOMOS dhe UNESCO në vitin 1983 dhe që nga ai vit, në të gjitha vendet e botës, në këtë datë vihen në pah dhe promovohen vlerat e trashëgimisë kulturore të përbashkëta për të gjithë njerëzimin, mbrojtja dhe ruajtja e së cilës kërkon përpjekje të përbashkëta nga të gjitha segmentet e shoqërisë.

Shënimi i kësaj dite të rëndësishme ndërkombëtare, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe të publikut të gjerë, lidhur me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe përpjekjet e nevojshme për t‘i mbrojtur dhe ruajtur ato.

Departamenti për Kulturë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thekson se Kosova është një vend i pasur me vlera të trashëgimisë kulturore, që dëshmojnë identitetin e saj të lashtë. Këto vlera po rrezikohen në masë të madhe nga mungesa e ruajtjes dhe mbrojtjes se tyre.

AAK thekson se për çdo popull, njohja e të kaluarës së tij është shumë e rëndësishme, për të ndërtuar të ardhmen mbi bazën e identitetit kulturor.

“Sot kur e gjithë bota e shënon këtë ditë, Kosova ende nuk ka mundur të shpallë në mbrojtje të përhershme ligjore asnjë pronë të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagim.

Rasti i Qytetit të Prizrenit, është një shembull tipik që dëshmon qartë dështimin e institucioneve të shtetit në fuqizimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, pasi që degradimi i vlerave të Qendrës Historike të qytetit ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të kornizës ligjore nga të dyja nivelet e qeverisjes, nga ai qendrore dhe nga ai lokal.

Sipas AAK-së që nga miratimi i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në vitin 2012, janë adresuar disa raste të ndërtimeve pa leje apo të ndërtimeve të pakontrolluara brenda qendrës historike të komunës së Prizrenit.

AAK rekomandoi që të bëhet hartimi i Planit Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore, të përgatitet Strategjia për zbatim të konservimit të integruar të trashëgimisë kulturore, të shpallen pronat e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme etj.

Previous articleKthimi i pedagogëve në shkolla më se i nevojshëm
Next articleThaçi: Gjykata Speciale padrejtësi, megjithatë do të votohet