Verifikimi i kujdesshëm i të gjitha të dhënave ekzistuese mbi avionin e zhdukur të Malaysia Airlines, tregoi se fati i Boeingut 777 ishte ai i dyshuar që në fillim: rrëzimi.
Por, fluturimi MH370 rezulton të ketë rënë në Oqeanin Indian, krejtësisht jashtë rrugës së tij, ndaj dhe rrethanat që e kanë çuar në këtë devijim presin të zbardhen.
Çfarë ndodhi? Si përfundoi në ujërat pranë Perthit avioni i nisur për në Pekin? Ekspertët këmbëngulin në mundësinë e një shpërthimi në bord, si shpjegimi më i besueshëm.
Mund të ketë qenë një bombë, ose diçka që është hedhur në erë në pjesën e bagazheve, duke hapur një vrimë në trupin e avionit. Forca e saj nuk ka qenë aq e madhe sa ta rrëzonte avionin në çast, por ka shkaktuar humbje të presionit të ajrit në bord, sa i ka lënë të pavetëdijshëm të gjithë pasagjerë e anëtarë ekuipazhi bashkë, ndërsa Boeingu ka fluturuar me autopilot deri sa ka mbetur pa karburant.
Kjo duket teoria më e logjikshme. Zjarri është mundësia tjetër e çorientimit të pilotëve, duke i hutuar aq shumë sa nuk kanë mundur të lëshojnë asnjë sinjal ndihme dhe gjithë çfarë kanë arritur të bëjnë para se të humbnin ndjenjat ka qenë kthimi i avionit.
Ndoshta mjeti ka pasur ndonjë të çarë të lehtë. Edhe kjo do të shkaktonte dekompresion, por më të ngadaltë. Kompania Boeing vet e ka pranuar se në disa modele mund të ndodhin gërryerje, e për pasojë njerëzit në bord përballen me një gjendje të quajtur hipoksi, apo uri për oksigjen, e cila mund t’i ketë shtyrë pilotët të bëjnë gabime e të mos nisin një thirrje për ndihmë, çka do ta kthente natyrshëm MH370-in në një fluturim fantazëm.
Rrëmbimi nuk është përjashtuar si mundësi, e po ashtu edhe sabotazhi, por të dy këta skenarë ngrenë një pyetje mjaft logjike: për çfarë qëllimi do ta rrëzonin avionin në mesin e oqeanit, ku nuk e gjen askush.
Vetëvrasja e pilotit sërish lë vend për diskutime. Përse duhet të fluturonte për shtatë orë një njeri që ka ndërmend t’i japë fund jetës së tij e të të tjerëve në bord, kur fare mirë mund ta rrëzonte avionin menjëherë pas ngritjes në ajër!?
Së fundi, po diskutohet edhe një mundësi e re: ajo e një sulmi kibernetik. Ndoshta një pasagjer me laptop me vete ka mundur të marrë kontrollin e mjetit, duke i nxjerrë krejtësisht jashtë loje pilotët e tij. Edhe kjo është një skemë komplekse, që mund të realizohej vetëm nga një gjeni kompjuterësh me njohje shumë të mirë të avionëve, por që sërish nuk e shmang dot pyetjen: përse të devijosh rrugën e një aeroplani në fluturim, duke e dërguar drejt… asgjësë!? /TCH/