Home LAJME Ambasada e SHBA-ve inkurajon deputetët për miratimin e Gjykatës

Ambasada e SHBA-ve inkurajon deputetët për miratimin e Gjykatës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka bërë të ditur se është e inkurajuar nga aprovimi i sotëm nga ana e Qeverisë së Kosovës, i ligjit për ratifikimin e Shkëmbimit të Letrave mes Presidentes Jahjaga dhe Baroneshës Ashton.

Sipas ambasadës ky vendim qartësisht i vë interesat afatgjata të Kosovës para shqetësimeve politike afatshkurtra.

“Ne tash apelojmë në anëtarët e Kuvendit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum, duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës, për t’u marrë me pohimet serioze nga Raporti i Këshillit të Evropës, i vitit 2010. Bota është duke shikuar nëse është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Sipas ambasadës, për të ecur përpara Kosova duhet të merret me këto pohime.

“Dështimi për të krijuar këtë gjykatë do t’i detyrojë trupat tjera ndërkombëtare që të merren me këto pohime. Kjo do t’i bëjë dëm të pamatshëm imazhit të Kosovës dhe aspiratave të saja Euro-Atlantike. Anëtarët e Kuvendit do t’i shërbejnë më së miri interesave të Kosovës duke qenë të përkushtuar për një proces kredibil juridik, që është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e Ambasadës Amerikane.

Gjithashtu shtohet se Ambasada e kupton se kjo është një çështje e ndjeshme për Kosovën.

“Sidoqoftë, ky është një hetim që përqendrohet në individët dhe nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim. Krijimi i kësaj gjykate është opsioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të qëndrojnë pranë Kosovës gjersa ajo vazhdon të ecë përpara me këtë detyrë thelbësore”, thuhet në deklaratë.

Previous articleIsa Mustafa ndërron fjalët për shpërbërjen e Parlamentit
Next articleShëndetësia do të mbështetet nga Turqia