Home LAJME Analistët, skeptikë për koalicionin AAK-LDD

Analistët, skeptikë për koalicionin AAK-LDD

Analistët kosovarë janë shprehur skeptik për koalicionin në mes partisë së Haradinajt dhe partisë së Nexhat Dacit, sepse sipas tyre, kjo formulë qeverisëse nuk duket të ketë simpatinë e madhe të elektoratit në Kosovë.

Analisti Belul Beqaj tha për Telegrafin se gjendja e tanishme në Kosovë është produkt edhe i qeverisjes së vitit 2004 – kur qeverinë e kanë drejtuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës .

Ai mendon se AAK-ja, për shkak të ambicieve të liderit të saj, është duke synuar që të arrijë deri te pushteti. Por, sipas tij, “Haradinaj nuk po e kupton se sa më shumë që po interesohet për pushtet aq më tepër po largohet nga pushteti”.

“AAK-ja dhe lideri i saj, për shkak të oscilimeve, mos konsekuencës dhe ambicieve të paepura për pushtet – që në këtë kuptim ia kalon vetëm lideri i PDK-së – më shumë se gjasa do të jetë pjesë e të kaluarës sesa e të ardhmes”, ka thënë Beqaj.

Publicisti Astrit Gashi tha për Telegrafin se nuk mendon se Lidhja Demokratike e Dardanisë, kështu si është tash, sjellë një kualitet apo numër të votueseve në koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës .

Sipas tij, koalicioni (AAK-LDD) është më shumë kthim favoresh që i pari i AAK-së po i bën tash kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci, si përgjigje e raporteve të mira që kanë pasur këta të dy gjatë qeverisjes së përbashkët LDK-AAK në vitin 2004.

“Dihet që në atë kohë Daci ishte një nga njerëzit kyç të LDK-së që insistonte që koalicioni të behej me AAK dhe jo me PDK. Ashtu edhe u bë. Sot është tepër herët për formulat, sepse ato do të dalin nga rezultatet zgjedhore. Por, vazhdoj te magjepsem me mënyrën se si Daci ende tejzmadhon pozicionin e tij dhe vetveten. Cilido që të jete koalicioni i ardhshëm, Daci do të jetë veçse një figurë, asgjë markante”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë konsiderojnë se përsëritja e formulës qeverisëse e vitit 2004 do të ishte opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemeve për qytetarët e vendit.

Previous article25 Miljonet e premtuara nuk do ti marrin ish-punëtoret e Fabrikës së Tubave
Next articleTribunali në Kosovë, me degë në Hagë