Pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të zgjedhur nga Senati, kanë marrë nga deri në 7.000 euro të hyra mujore, në muajin shkurt të këtij viti.
Burime brenda UP-së bëjnë të ditur se Behxhet Mustafa, Beqir Sadikaj, Ajvaz Berisha, Safet Merovci dhe Blerim Kamberi, që të gjithë profesorë universitarë të UP-së dhe anëtarë të Këshillit Drejtues, kanë realizuar të hyra të shtuara gjatë muajit shkurt.
Në atë kohë, prej këtij institucioni patën dhënë dorëheqjet katër anëtarët e tjerë që kanë qenë të emëruar nga Ministria e Arsimit.
Këto mjete u janë paguar pesëshes së KD-së në kohën kur UP-ja nuk kishte as rektor e as ushtrues detyre të rektorit, apo prorektorë.
Tani drejtues të Rektoratit kanë dhënë disa sqarime në lidhje me të hyrat mujore të këtyre pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues, pa mohuar se shuma e tyre arrin deri në afro shtatë mijë euro.
Megjithatë, njëri nga pesë anëtarët ka thënë që “kjo nuk është e vërtetë”. /Koha Ditore/