Home LAJME Arrestohet Radovan Radic në Zubin Potok

Arrestohet Radovan Radic në Zubin Potok

Pjesëtarë të EULEX-it para pak minutash ka arritur ta arrestojnë Radovan Radic, i njohur me nofkën Krelac në fshatin Zupç të Zubin Potokut.

Sipas burimeve të KosovaPressit, ai ndodhet në listën e të kërkuarve të Interpolit dhe dyshohet për një sërë veprash penale, në mesin e të cilave edhe për vrasjen e policit Enver Zyberi dhe sulmin në stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, pak kohë më parë.

Po ashtu bëhet e ditur se serbët lokal në shenjë revolte kanë bllokuar rrugën në Zubin Potok.

Ndryshe, pjesëtarë e EULEX-it kishin bastisur të enjten në mëngjes shtëpinë e Radovan Radic, për ta arrestuar atë, por pa sukses.

Në anën tjetër, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulovic, pas aksionit të EULEX-it kishte thënë se ky është edhe një tentim i destabilizimit të situatës në veri nga ana e EULEX-it.

Edhe EULEX-i ka konfirmuar se Task Forca Mitrovicë (TFM), e ndihmuar nga Policia e EULEX-it, zbatoi një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për një person 32 vjeçar në Zupç.

I dyshuari i arrestuar është dërguar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë për marrje të mëtejshme në pyetje. Urdhër arresti është kërkuar nga UNMIK-u më 2011.

Arrestimi është kryer si pjesë e një hetimi për vrasje i cili është duke vazhduar, ku përfshihen veprat e dyshuara penale të Vrasjes së Rëndë, Tentim Vrasjes së Rëndë, Pronësisë, Kontrollit, Posedimit të Paautorizuar të Armëve dhe Pengimit të Personave Zyrtarë në Kryerjen e Detyrave Zyrtare.

Akuzat për vrasje kanë të bëjnë me vrasjen e zyrtarit policor të Policisë së Kosovës Enver Zymberi më 26 korrik 2011 dhe me sulmin në kolonën e automjeteve të PK-së në të cilën ishte duke udhëtuar ai në kohën kur u vra.

Previous articleKuvendi vendos javën e ardhshme për Tribunalin?
Next articleLK: Bayerni përballë Realit, Chelsea ndaj Atleticos