Ylli Sallahi pritet të jetë anëtar i Përfaqësueses së Kosovës. Ylli është në bisedime me përzgjedhësin kosovar, Albert Bunjaku dhe sot gjatë ditës pritet ta jap përgjigjen përfundimtare.
Ylli Sallahi mund të jetë ‘përforcimi i madh’ i Përfaqësueses së Kosovës para ndeshjeve me Turqinë dhe Senegalin.
Anëtari i skuadrës gjermane, Bayern Munich, është në bisedime me përzgjedhësin kosovar, Albert Bunjaku dhe siç raporton ‘Zëri’ gjasat janë tejet të mira që Sallahi ta vesh fanellën e përfaqësueses kosovare.
Në fakt, Sallahi është i disponuar për të debutuar me Përfaqësuesen e Kosovës, por ardhjen e tij e ka vënë në pikëpyetje vetëm një lëndim që e ka pësuar para pak kohësh futbollisti, i cili kohëve të fundit po konsiderohet si një pasuri e madhe për të ardhmen e gjigantit gjerman, për të cilin luan edhe Xherdan Shaqiri.
Ndryshe, Sallahi më parë ishte kërkuar edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë, mirëpo lojtari me pasaportë austriake i kishte mbyllur dyert kësaj të fundit.