Në raportin e fundit për besimin e biznesit dhe konsumatorëve, Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e katërt, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat perceptimin e biznesit dhe individëve, për gjendjen e ekonomisë, u rrit me ritme rekord, prej 13,4 për qind.
“Ky përmirësim ka ardhur për shkak të rritjes së optimizmit tek bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë. Për sektorin e industrisë, treguesi i besimit në ekonomi është rikthyer për herë të parë, pas vitit 2010, në nivelin e mesatares afatgjate”, theksohet në raportin e Bankës.
Përmirësim të fortë ka edhe në sektorin e ndërtimit, ku kompanitë që operojnë në këtë fushë, raportojnë për rritje të investimeve, por edhe kërkesës, raporton “Shekulli”.
BSH thotë se rritje dyshifrore në treguesin e besimit ka edhe për sektorët e shërbimeve dhe tregtisë.
Sipas BSH, individët kanë qenë më të rezervuar për situatën ekonomike.
Treguesi i besimit të konsumatorëve, sipas vrojtimit, shënoi një rënie të lehtë, në tremujorin e parë të vitit, me rreth 0,3 për qind. Rritja e fortë e optimizmit tek bizneset, në tremujorin e parë, vjen pasi ekonomia la pas një nga vitet më të vështira të dy dekadave të fundit, siç ishte viti 2013.