Nëse për qytetarët shqiptarë çështja “Radika” është bërë e njohur vetëm ditët e fundit, nuk mund të thuhet se ajo ka qenë e tillë për autoritetet e Tiranës.
Projektpropozimi i qeverisë së vendit fqinj daton që më 2011. Fakti është konfirmuar edhe nga një njoftim i Bankës Botërore, së cilës qeveria maqedonase i ka kërkuar financimin e ndërtimit të HEC-it, nëse kushtet do ta mundësonin.
Duke detajuar qëllimin e këtij propozimi, të qeverisë së Shkupit, që përmblidhet në ndërtimin e një hidrocentrali me fuqi të ulët, përmes devijimit të një pjese të prurjeve të Radikës në Vardar, BB paralelisht siguron se në asnjë rast nuk do të anashkalohen fqinjët.
“Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Serbia ndodhen përgjatë basenit dhe, për këtë shkak, do të konsultohen mbi dizajnimin, përpara se të merret ndonjë vendim për financim nga Banka Botërore”.
Garancia që jep BB, se vendimi final do të marrë në konsideratë çdo efekt mjedisor, çdo dëm të mundshëm për qytetarët e zonës dhe çdo qëndrim të shteteve fqinje, vjen paralelisht me përgjigjen negative që tashmë kanë dhënë Tirana dhe Prishtina për projektin në fjalë.
Qeveria e Kosovës deklaroi se nuk do të miratonte një propozim të tillë të mundshëm, ndërsa kryeministri shqiptar i dha fund debateve, duke thënë se nuk ka asnjë propozim dhe se nuk do të ketë asnjë vendim në kundërshtim me interesat e vendit dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
Edhe ministrat shqiptarë në qeverinë maqedonase kanë siguruar se nuk do të miratojnë ndërtimin e një vepre hidrike në dëm të Dibrës së Madhe dhe rezervave ujore shqiptare. /Top Channel/