Home LAJME Bekim Çollaku:MERITOJMË REKOMANDIM POZITIV PËR VIZAT

Bekim Çollaku:MERITOJMË REKOMANDIM POZITIV PËR VIZAT

Ministri Çollaku tha se deri në fund të këtij muaji Kosova do ta dorëzojë në Komisionin Evropian raportin përfundimtar për vizat.

Kosova është në pjesën finale të procesit të liberalizimit të vizave. Kështu ka thënë në këtë intervistë për “Epokën e re” ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Ai ka deklaruar se ky është proces i dyanshëm dhe se vendimi nuk është vetëm i Kosovës. Ministri Çollaku ka treguar se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi që, në përputhje me rregullativën ligjore, ta miratojë në procedurë të përshpejtuar pakon e ligjeve të cilat ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Ai ka thënë se për shkak të konsensusit politik pret që këto projektligje të miratohen brenda pak ditësh. Çollaku ka shtuar se në fund të këtij muaji do ta kenë gati raportin për vizat, të cilin do t’ia dorëzojnë Komisionit Evropian (KE).

Ministri Çollaku ka bërë me dije se gjatë kësaj vere Kosovën do ta vizitojnë zyrtarët e Misionit Vlerësues të BE-së, për ta parë në praktikë plotësimin e kritereve për heqjen e vizave. Ai është zotuar se Kosova do t’i përmbushë kriteret dhe do të jetë gati këtë vit. Çollaku e ka komentuar edhe deklaratën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ka deklaruar se heqja e vizave varet nga luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Edhe kriteret për pjesën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë qartë të shënuara. Derisa ne do të bëjmë të pamundurën që këto të përmbushen, të njëjtën kohë do të jemi shumë të qartë që ky proces nuk mund të jetë peng përjetësisht dhe me kërkesa të ndryshme. Dialogu për liberalizimin e vizave nuk është forumi i vetëm që Kosova e ka me BE-në. Tani jemi afër nënshkrimit të MSA-së. Do ta kemi dialogun për stabizim asociim, asistencën në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit etj. Pra, nuk mund të pritet që gjithçka të zgjidhet vetëm nëpërmjet këtij procesi, sepse atëherë edhe mund t’i humbet kredibiliteti”, është shprehur Çollaku.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që në përputhje me rregullativën ligjore, ta miratojë në procedurë të përshpejtuar pakon e ligjeve të cilat ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

“Në këtë drejtim, e mirëpresim vendimin e Kryesisë së Kuvendit dhe grupeve parlamentare për ta proceduar miratimin e këtyre projektligjeve me procedurë të përshpejtuar. Duke qenë se agjenda evropiane e vendit gëzon konsensus të plotë institucional, politik dhe qytetar në vend, besojmë se të gjitha projektligjet do të aprovohen brenda pak ditësh në mënyrë që të reflektohen në raportin përfundimtar të cilin do të dërgojmë në Bruksel”, ka theksuar Çollaku.

Previous articleU mbajt mbledhja e 29 e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Next articleAAK kërkon formimin e Ushtrisë së Kosovës