Gjilan – Kandidati për kryetar komune nga radhët e Koalicionit për Gjilanin, Faton Bislimi, votoi në shkollën fillore “Selami Hallaçi”. I shoqëruar nga familjar dhe bashkëpunëtore që votojnë në të njëjtën qendër votimi, Bislimi dha edhe një prononcim të shkurtër për media pasi kreu obligimin e tij qytetar të votimit.
“Unë vetëm dua t’i falënderoj të gjithë përkrahësit tonë si dhe të gjithë qytetarët e Gjilanit për një fushatë zgjedhore të qetë dhe pa ndonjë incident madhor. U jam mirënjohës edhe medieve për raportimin e tyre korrekt dhe në kohë. I ftoj të gjithë qytetarët e Gjilanit që masovikisht të dalin në votime dhe vet me dorën e tyre të vendosin për fatin e Komunës sonë dhe të fëmijëve tanë në katër vitet e ardhshme,” tha Bislimi.
“Unë besoj fuqishëm që komuna jonë do t’i kthehet vetvetes dhe së ardhmes sonë të përbashkët dhe më premtuese. Andaj, uroj që kjo ditë të jetë një festë e mirë për të gjithë gjilanasit dhe fitore e madhe edhe për Gjilanin,” përfundoi Bislimi.
Faton Bislimi në këtë garë ka qenë kandidat i Koalicionit për Gjilanin, një nismë qytetare kjo e përkrahur nga Aleanca Kosova e Re, Lëvizja Qytetare për Gjilanin, Nisma e Ballit Gjilan, si dhe Forumi i Profesionistëve të Rinj. /RadioRINIA/