Home LAJME Brazil, përleshje masive në Rio de Janeiro

Brazil, përleshje masive në Rio de Janeiro

Një operacion i madh policor, për të dëbuar qindra familje nga ndërtesat e braktisura në Rio de Janeiro të Brazilit, ka përfunduar në përleshje të dhunshme dhe për pësojë shumë persona kanë mbetur të plagosur.

Në operacionin e gjerë të policisë u angazhuan mbi 1500 forca policore për të larguar rreth 5 mijë persona nga një zonë e cila i përket një kompanie telekomunikacioni.

Disa familje u larguan paqësisht, por konflikti filloi kur të tjerë rezistuan dhe u përleshën me forcat e policisë.

Banorët qëlluan me gurë në drejtim të policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës. Me qindra fëmijë ndodheshin në mesin e turmave.

Shumë persona mbetën të plagosur edhe mes forcave të policisë. Policia nisi prishjen e kasolleve prej druri ende pa u larguar banorët, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të nxirrnin sendet e tyre.

“Policia erdhi këtu dhe shkatërroi çdo gjë. Ne humbëm shtëpitë tona dhe tani jemi në mëshirë të fatit, nuk kemi ku të shkojmë, nuk kemi një vend për të jetuar”, ka thënë një nga banorët.

Autoritetet vendase në Rio deklarojnë se i kishin ofruar ndihmë familjeve të pastreha.

“I ofruam mbështetje personave, por vetëm 177 prej tyre e kanë pranuar atë, pjesa tjetër kanë qenë kundër”, ka thënë njëri prej përfaqësuesve të pushtetit lokal.

Ndërkohë, policia deklaroi se operacioni shkoi sipas planifikimit.

Previous articleItali, shpëtohen 6 mijë emigrantë në 4 ditë
Next articleDitë zie në katër komunat në veri të Kosovës