Home LAJME Buja: PISA studimi më i madh në botë për arsim

Buja: PISA studimi më i madh në botë për arsim

Vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve PISA fokusohet në aftësinë që kanë nxënësit 15 vjeçar për të përdorur dijet dhe njohuritë e fituara në shkollë, në situata reale, dhe është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.

Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja gjatë mbajtjes se konferencës ndërkombëtare dy ditore Kosova në PISA 2015, me temë ‘Ndikimi i vlerësimit të nxënësve në cilësinë e arsimit’.

Ai tha se shtetet fqinje kishin hezitime për t’i hyrë kësaj sfide, por siç pohoi ai, ata janë të sigurt që vlerësimi do të jetë pozitiv.

“Një konferencë që është e rëndësisë së veçantë për Kosovën, për arsimin e Kosovës që do na sjellë përvojat e mira të vendeve fqinje, mike dhe të tjerave për t’i hyrë sfidës jo të lehtë të vlerësimit të dijës së nxënësve tonë të atij niveli që janë, është përcaktuar sepse në fakt shtetet që janë në këtë fazë apo ishin, kishin hezitime për t’i hyrë kësaj sfide , por ne asnjë arsye se kemi për të pasur këtë drojë sepse jemi bukur të sigurt që vlerësimi që do të bëhet në vitin 2015 dhe mbase vlerësimi do të jetë në vitin 2016 ose rezultatet më 2016 do të jenë pozitive”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo konferencë do të jetë e suksesshme sepse përvojat që do marrin do të jenë ato që do të ndihmojnë shumë që Ministria e Arsimit të ecë sigurt në hapa primar drejt vlerësimit që do të vijë nga ky studim.

Këtë konferencë e përkrahën edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa si dhe udhëheqësja e Projektit GIZ/CDBE, Dagmar Fuchs- Schmitz.

Konferenca ndërkombëtare PISA 2015 në Kosovë do të mbahet për dy ditë, ndërsa raporti final i rezultateve të vlerësimit ndërkombëtar PISA 2015 do t’i ndihmojë Ministrisë së Arsimit për orientimet politike dhe zhvillimet e mëtejme të arsimit në Kosovë.

Previous articleAhmeti: Dushku nuk heziton asnjëherë të flasë për Shqipërinë e shqiptarët
Next articleZgjedhjet në këto rrethana, vetëm sa për tu mbajtur