39-vjeçari, Ilirjan Hida nga qyteti i Elbasanit, i cili rekrutonte vajza të reja me pretendimin se ishte i dërguari i Zotit është lënë në burg nga autoritetet lokale.
Ai akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e arrestit me burg për 39-vjeçarin.
Ngjarja
Ilirjan Hida, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, u arrestua të enjten e 9 majit pasi u kallëzua penalisht nga familjarët e vajzave të cilat mashtroheshin nga ky i fundit për të mos ndjekur udhëzimet dhe këshillat e familjarëve…, edhe pse vajzat e kishin mbaruar universitetin.
Ndërkohë që, kallëzimet e familjarëve bënë që ndaj tij të nisë hetimi që në shkurt të këtij viti për t’u finalizuar të enjten me arrestimin e tij.
Dëshmitë e familjarëve të vajzave të rekrutuara
Shtetasi B.F. ka kallëzuar se vajza e tij, e cila vazhdon shkollën e lartë në Tiranë, ka disa kohë që frekuenton një sekt fetar të krishterë me predikues shtetasin I. Hida nga qyteti i Elbasanit, i cili predikimet i zhvillon në ambientet e banesës së tij. Sipas bisedave që kallëzuesi ka bërë me vajzën e tij, predikuesi I. Hida i mësonte atyre që të tërhiqeshin nga familja dhe mos ti respektonin prindërit.
Sipas Prokurorisë, predikuesi i instruktonte vajzat që të ndaheshin nga shoqëria ku bënin pjesë dhe të kishin kontakte vetëm me persona që ishin pjesëtarë të këtij grupi predikues. Predikimet, 39-vjeçari i bënte me anë të telefonit 2 orë në mëngjes dhe 2 orë në darkë, ndërsa ditën e diel vajzat duhet të vinin në Elbasan tek banesa e tij.
Ndërkohë, një tjetër kallëzim penal është depozituar në polici në lidhje me këtë shtetas. Kallëzuesi Q. A. ka deklaruar se disa vite më parë vajza e tij ka filluar të frekuentojë “Kishën e lirë të Apostujve të Pentagosisë” në Tiranë. Vajza ka rreth 3 vjet që ka mbaruar shkollën e lartë, por nuk pranon që të punësohet, pasi, sipas saj, zoti nuk e lë të punojë. Kallëzuesi Q. A. ka folur në telefon me I. Hidën duke i kërkuar që të largohej nga jeta e vajzave të tij dhe të mos ndikonte për keq. Hida i është përgjigjur që ajo ishte motra e tij dhe se ata ishin në luftë me gjithë botën.
“Si rezultat i predikimeve dhe ndikimit të shtetasit Ilirian Hida, vajza është rënduar nga ana psikologjike, duke preferuar të rrijë e vetmuar dhe e shkëputur nga shoqëria e saj”, -thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Elbasanit.
Për 39-vjeçarin nga Elbasani ka pasur dhe një tjetër kallëzim penal nga shtetasi H.Sh. Sipas këtij shtetasi, vajza e tij bën pjesë në grupin e parë të Ilirian Hidës, dhe pas mbarimit të shkollës së lartë, filloi të shfaqte shqetësime serioze, pasi, sipas saj, ishte prishur kisha ku ajo shkonte për të predikuar, dhe tashmë Zoti kishte sjellë një njeri të tijin të vërtetë që ishte I. Hida. Vajza, sipas dëshmisë së familjarit, ka shfaqur probleme mendore dhe fizike.