Home SPORT Butrint Rama bokson në përkujdesjen e Luan Krasniqit

Butrint Rama bokson në përkujdesjen e Luan Krasniqit

foto (9)Të shtunën, më15 mars në Winterthur të kantonit të Cyrihut, dashamirësit e boksit do të kenë rastin të shikojnë një mbrëmje me shumë meqe boksi në kategoritë e ndryshme. Përveç luftërave amatore, ku dorezat do t`i kryqëzojnë një numër boksierësh shqiptarë, lufta kryesore e mbrëmjes do të zhvillohet në mes të boksierit të ri profesionist shqiptar nga Winterthur, Butrint Rama dhe hungarezit Achilles Szabo.

Butrint Rama është i njohur si ish kampion i Zvicrës në boksin amator dhe fitues i shumë turneve të ndryshme të boksit. Ndërkohë ai ka kaluar në boksin profesionist dhe këtu ka treguar një performansë të jashtëzakonshme: tetë meqe, tetë fitore! Kundërshtari i tij ka zhvilluar deri më tash 16 meqe prej të cilave i ka fituar 11, raporton albinfo.ch.

Butrinti, ndonëse me shtetësi zvicerane, posedon një licencë gjermane të boksit profesionist. E veçanta e kësaj mbrëmjeje, siç thotë Rama për albinfo.ch do të jetë sigurisht prania në të e legjendës së boksit, Luan Krasniqi. Ai do të vijë për të mbështetur jo vetëm Butrintin i cili ka të lidhur kontratë me të, por edhe nipin e tij, Ardian Krasniqin i cili do të boksojë po ashtu në këtë mbrëmje. Ndërkaq, si Ardiani ashtu dhe Butrinti kanë ushtruar nën përkujdesjen e vëllait të Luanit, Agim Krasniqit.

Butrint Rama aktualisht në kategorinë e tij super të mesme në ranglistën botërore zë vendin e 305-të nga gjithsej 939 boksierë të kategorisë së tij. Me fitoren e pritshme ai do ta përmirësojë dukshëm pozitën e tij.

Kryetari i BCW, Reinhard Meier thotë për gazetat lokale se është nder i madh për skenën e boksit të Winterthurit të presë një emër të tillë të madh të boksit si Luan Krasniqi. Ai thekson me këtë rast se Luani, në kohën e shkëlqimit të ij si amator, ka mundur njërin nga vëllezërit Kliçko në ring.

Mbrëmja e boksit zhvillohet në sallën e hotel Römmertor në Winterthur, me fillim në orën 19.30.

Previous articleBarça dhe PSG në çerekfinale
Next articleRrahje masive në Shkup