Home LAJME Çështja e punëtorëve të Fabrikës së Tubave përplas Kuvendin me Qeverinë

Çështja e punëtorëve të Fabrikës së Tubave përplas Kuvendin me Qeverinë

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka vendosur që ta futë në rend të ditës diskutimin për çështjen e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut “IKM” të Ferizajt.

Por kjo çështje ka përplasur kabinetin qeveritar “Thaçi 2” me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ka qenë kryeministri Tahçi ai që ka kërkuar nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend që ta votojnë futjen në rend të ditës këtë çështje.
“Kjo nuk lidhet me fushatë, për arsye edhe ju nëse shkoni dhe i vizitoni ata punëtorë do të gjeni bashkëpartiakë të juaj. Punëtorët nuk janë të ndonjë partie, por janë të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Por kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i ka rikujtuar atij se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vetëm 3 milionë euro në dispozicion për të shpërndarë për punëtorët e kësaj Fabrike.
“A merr Qeveria zotimin se do të gjejë pjesën tjetër të mjeteve”, ka pyetur kryeparlamentari.
Ish-punëtorët kërkojnë 25 milionë euro, si kompensim për largimin e tyre nga puna, në fillim të vitit 1990, duke u bazuar edhe në vendimin e gjykatës.

Ministri i Financave Besim Beqaj, ka thënë se këtë diferencë mund ta mbulojë Agjencia nga fondi i vet rezervë, por se për këtë i duhet vendimi nga Kuvendi.

Ka intervenuar sërish Krasniqi, që ka thënë se në bazë të ligjeve, Agjencia mund të përdorë deri në 75 për qind të fondit rezervë, por për të bërë një gjë të tillë Agjencia duhet të bëjë kërkesë nga Kuvendi në mënyrë që një gjë e tillë më pas të votohet ose jo në Kuvend. Por, sipas Krasniqit, Kuvendi nuk mundet ta obligojë Agjencinë që të përdorë fondin rezervë, pa pas kërkesë paraprakisht.

Megjithatë, deputetët vendosën që për këtë çështje të diskutohet në Kuvend.

Previous articleShpërthen akuariumi gjigant në “Walt Disney World” [foto]
Next articleADELINA ISMAJLI NUK PLAKET