Shpesh keni dëgjuar të flitet për anestezinë, praktikën mjekësore e cila ndiqet para se një pacient do të duhet të hyjë në një sallën e operacionit, apo edhe për ndërhyrje akoma më të thjeshta.
E gjitha kjo bëhet më qëllim lehtësimin, ose më saktë mënjanimin e dhimbjeve të cilat mund të vijnë si pasojë e ndërhyrjeve. Nga vetë termi, anestezia do të thotë mungesë ndjeshmërie dhe në mjekësi, ky term përdoret në dy drejtime, së pari për të treguar mënjanimin e ndjeshmërisë në çdo pjesë të trupit dhe së dyti ky term përmbledh një tërësi veprimesh që kryhen për t’i hequr pacientit ndjeshmërinë në një pjesë të trupit, ku do të kryhet ndërhyrja.
Mirëpo sa të informuar jemi mbi anestezinë, sa e njohim atë dhe çfarë duhet të pyesim përpara se të nënshtrohemi ndaj një praktike të tillë? Më poshtë janë disa nga gjërat që duhet të keni parasysh mbi anestezinë dhe efektet e saj.
Anestezia e përgjithshme, ose ndryshe e njohur edhe si narkozë, i referohet rasteve kur pacienti jo vetëm humbet ndjeshmërinë fizike të të gjithë trupit, por edhe ndjenjat, pra një gjendje të fikti. Këtu vlen të përmendet fakti që duhet bërë dallimi mes gjendjes tjetër, asaj kur pacienti humbet ndjeshmërinë totale,por jo ndjenjat, e që është analgjezia.
Jo gjithkush mund të praktikojë anestezinë, por vetëm mjeku i specializuar anestezist, kjo për arsye sepse praktika ka disa specifika të cilat do të duhet të njihen mirë. Ndërkaq, një mjek anestezist, është në të njëjtin nivel me një mjek kirurg, por sigurisht edhe i specializuar në këtë aspekt.
Megjithatë nëse behët fjalë për ndërhyrje të vogla, apo raste si për shembull heqje dhëmbësh a dhëmballësh, anestezinë lokale mund edhe ta bëjë një mjek i rastit në fjalë. Në mënyrë thelbësore, tipet e anestezisë janë dy, ajo lokale dhe e përgjithshme. Të dyja këto, ndryshojnë nga njëra-tjetra jo vetëm për faktin se bëjnë të pandjeshëm pjesë të caktuara të trupit, por edhe nga mënyra se si induktohen.
Gjatë kësaj kohe, pra fazës së operacionit, është mjeku anestezist, ai i cili do të kujdeset gjatë gjithë kohës për pulsin, frymëmarrjen, aktivitetin kardiak, presionin e gjakut dhe t’i japë gjatë gjithë kohës, të dhënat e gjendjes së pacientit.