Home LAJME Çfarë thanë Behgjet Pacolli, Albin Kurti, Slobodan Petrovic për Gjykatën…

Çfarë thanë Behgjet Pacolli, Albin Kurti, Slobodan Petrovic për Gjykatën…

Themelimin e Gjykatës dhe vazhdimin e mandatit të EULEX’it e ka përkrahur edhe kryteari i AKR, Behgjet Pacolli, Slobodan Petrovic, por jo edhe lideri i VV’së Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar një nga një liderët e partive politike në vend. Por jo të gjithë janë pajtuar për krijimin e një Gjykate për Krimet e Supozuara të UÇK’së.

Lideri i AKR’së Behgjet Pacolli ka thënë se është më e dhimbshme që Tribunali të themelohet nga Kuvendi i Kosovës sesa nga KS të OKB-së.

“Ishim në takimin e radhës me Presidenten dhe është fol për ashtuquajturin Tribunalin ose Gjykatën në Kosovës dhe jashtë Kosovës. Janë dy çështje ose do ta votoj Parlamenti i Kosovës ose do të imponohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe unë besoj se është më pak e dhimbshme ta kërkojmë vet, ta miratojmë vetë dhe AKR-ja të jetë konstruktive në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherit kryetarit i partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviç ka thënë pas takimit me presidenten se deputetet serb që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës do të votojnë vazhdimin e mandatit të EULEX dhe themelimin e Tribunalit.

“Përfaqësuesit serb që janë pjesë e Kuvendit do të votojnë edhe për Tribunalin edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX. Kjo është në të mirë të Kosovës”, ka thënë ai.

Kundër Gjykatës dhe vazhdimit të mandatit të EULEX ka qenë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti ka thënë para gazetarëve se i ka thënë presidentes se ajo duhet që t`i ngrisë pesë çështje problematike me EULEX-in.

E para, sipas Kurtit është që EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Republikës, e dyta është që EULEX-i ka fuqi të pakufizuara ekzekutive,e treta është që EULEX-i asnjëherë nuk ka dhënë llogari në asnjë institucion të Kosovës, konkretisht në Parlamentin e Republikës,e katërta është që i gjithë personeli i EULEX-it me anëtarët e familjeve të tyre kanë imunitet prej ndjekjes penale në Kosovë, dhe e pesta është që EULEX-i më shumë e përdorë ligjin për stabilitet afatshkurtër politikë, sesa për drejtësi për qytet arët dhe të drejtë për qytetarët.

“Do të duhej që pas Tribunalit të Hagës të kemi Tribunal për Serbinë, ku vazhdimisht po zhvarrosen kufoma të të pagjeturve shqiptarë nëpër varreza të ndryshme masive, siç ishte kjo e fundit në Rudnicë, ndërkohë që Kosova po përfundon në tribunal. Është përshtypja ime, se në vend se të diskutohet për dështimet e EULEX-it gjatë këtyre 6 viteve, në vend se EULEX-i të japë llogari për atë se çfarë ka bërë dhe çfarë nuk e ka bërë, po kalohet në temën e radhës, ku Kosova po gjykohet, me ç’rast kjo bëhet në emër të gjykimit të individëve. Por, nuk do të jetë kësisoj, meqenëse përdorimi i fjalës Kosovë në të njëjtën fjali me fjalën krim, krim lufte, krim kundër njerëzimit, trafikim organesh, që proliferohet pafundësisht e globalisht, do të jetë tejet i dëmshëm për imazhin dhe reputacionin e Kosovës në botë. Pra, ky është një hap i madh prapa, që po i ndodh Kosovës 15 vjet pas çlirimit e më shumë se 6 vjet pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Kurti.

Vazhdimin e mandatit të EULEX dhe vendimin për themelimin e Gjykatës pritet ta marrë Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht deputetët e Kuvendit, javën që vjen.

Previous articleAdrian Gaxha tregon shpirtin human
Next articleStandard Liege do të sprovojë tre futbollistë të Prishtinës