Home LAJME Çfarë thoshte Vucici dikur?

Çfarë thoshte Vucici dikur?

Si ministër i informacionit në Qeverinë e Serbisë, post të cilin e ka marrë më 24 mars 1998, Aleksandar Vucic – atëherë anëtar i Partisë Radikale të të akuzuarit për krime në Tribunalin e Hagës, Vojislav Seselj – angazhohej për mbylljen e mediave në gjuhën shqipe, si javorja “Zëri” dhe ditorja “Bujku”. Telegrafi ju sjellë deklaratat e tij, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Më 27 shkurt 1999, shefi i tij i dikurshëm, Seselji, deklaron: “Nëse ndodh bombardimi nga ana e NATO-së, nëse ndodhë agresioni amerikan, ne serbët goxha do ta pësojmë, por shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë kurrë”! E, Vucici e ka duartrokitur.

Ky synim u realizua, fatmirësisht përkohësisht, sepse pushteti serb gjatë periudhës së bombardimeve të vitit 1999 largoi afro një milionë shqiptarë në vendet fqinje.

Vucici pranë gruas së Seseljit

Ndërsa, Vucici, si ministër i atëhershëm i Informatave, censuronte çdo lajm që binte ndesh me politikat e Slobodan Milosevicit. Ai formoi një organ censure, ndërsa urdhëronte që forcat e NATO-s të cilësohen si nazistë dhe fashistë, ndërsa që sulmet e NATO-së të cilësoheshin si “veprim shkatërrimtar”, “agresion kriminal” dhe “orgji vrasëse” kundër popullit serb.

Ëndrra e tij ishte Serbia e Madhe, ndërsa pas vitit 1999 deklarohet si anti-amerikan i përbetuar, meqë sipas tij ata u kanë bërë gjëra të këqija serbëve. Kjo mund të shihet nga videot e postuara më poshtë.

Në vitin 1995, kur NATO kërcënonte me bombardime forcat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Vucic, në Parlamentin e Serbisë ka thënë kërcënimin më makabër: “Vriteni një serb, ne do të vrasim qindra myslimanë”.

Ndërsa, po të njëjtin vit për kroatët ka thënë: “Vëllezër serbë, motra serbe, përshëndes popullin e Banisë serbe, të Glinës serbe, që keni ngritur pishtarin e lirisë që më 26 qershor 19991. Ju jeni të parët që jeni kthyer kundër pushtetit ustash, ju keni çliruar të parët territoret serbe në Republikën Serbe të Krainës. Kurrë këtu pushteti ustash nuk do të vijë më”.

Vucici që më 1993 ishte anëtar i Partisë Radikale, ndërsa më 2008 në zgjedhjet parlamentare i bashkohet Partisë Përparimtare Serbe të Tomislav Nikolicit. Sot, si kryetar partie, ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të marsit të këtij viti. Ai sot është njeriu më i fuqishëm në Serbi.

Previous articleShaqiri i pakënaqur te Bayerni
Next articleAI fton Kuvendin ta miratojë ligjin për gratë e dhunuara