Dhëndri i Osama bin Ladenit ka thënë se udhëheqësi i Al Kaidës ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmeve të 11 Shtatorit po atë ditë, derisa ka qenë në një shpellë në Afganistan.
Sulaiman Abu Ghaith, 48 vjeç, i cili është i martuar me vajzën e Bin Ladenit, Fatima, ka dëshmuar të mërkurën në gjykimin e tij për terrorizëm në Nju Jork.
Ai ka thënë se Bin Laden e ka pyetur atë se si mendon se do të përgjigjet SHBA-ja ndaj sulmeve që kanë vrarë gati 3,000 njerëz.
Abu Ghaith ka thënë se ai e ka paralajmëruar Bin Ladenin se Amerika nuk do të pushojë derisa ai të jetë i vdekur dhe talibanët të përmbysen.
Ai ka thënë se Bin Laden është përgjigjur: “Ti je shumë pesimist”.
Abu Ghaith është figura më e lartë e Al-Kaidës që përballet me gjykim në Shtetet e Bashkuara që nga sulmet e 11 Shtatorit.
Ai thotë se është i pafajshëm.