Dieta e makaronave kundër kancerit të gjirit

Reduktimi i konsumimit të produkteve të bukës, në favor të karbohidrateve si makaronat mund të ndihmojë në uljen e ndjeshme të rrezikut të prekjes nga tumori i gjirit.

Një studim i publikuar ditën e shtunë tregoi se dietat e pasura me bukë pas moshës së menopauzës rrisin me 60% mundësinë e prekjes nga kjo formë tumori tek femrat.

Një faktor i rëndësishëm në probabilitetin e goditjes nga kanceri luan edhe pesha, me gratë mbipeshë që kanë një rrezik të shtuar.

Studimi u realizua nga akademikë të Universiteteve të Torinos dhe Milanos, të cilët morën në shqyrtim 11 mijë italiane të të gjitha moshave.

Në krahasimin e të dhënave me dietën përkatëse të secilës prej të anketuarave, studiuesit arritën të gjejnë një ndryshim të dukshëm në rastet e prekjes nga tumori i gjirit, me gratë që konsumojnë gjerësisht makaronat, që kishin një probabilitet 60% më të ulët se e anasjella.

Konsumi i bukës rrit mundësinë e prekjes nga kanceri i kolonës apo zorrës së trashë gjithashtu me 20%.

Mbipesha, nga ana e saj e rrit probabilitetin e tumorit të gjirit me 40-45%.

Studimi i universiteteve u realizua në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.