Komisioni Disiplinor i FFK-së i ka ndërmarrë, të premten, masat ndëshkimore për ekseset e ndodhur javën e kaluar në ndeshjet Hajvalia-Trepça dhe Llamkos Kosova – Ferronikeli. Kësisoj, Hajvalia për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes do të jetë e detyruar që dy ndeshjet e radhës si vendase t’i luajë larg fushës së vet. Ndërkohë, trajneri i kësaj skuadre, Sunaj Keçi dhe ndihmës trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu, për shkak të sjelljeve josportive janë dënuar me nga 250 euro. Me një muaj mos ushtrim të detyrës është dënuar ndihmëstrajneri i Hajvalisë, Agim Maliqi, sikurse edhe vëzhguesi i kësaj ndeshjeje, Jakup Ramadani, për mos përshkrim të detajeve. Me nga tri ndeshje moslojë janë dënuar futbollistët Gëzim Gashi i Hajvalisë dhe Lavdim Balija, Shpëtim Babaj e Liridon Voca të Trepçës.
Ndërkohë, trajnerit të Llamkos Kosovës, Ismet Munishi i është shqiptuar masa prej 1 muaji ndalesë të kryerjes së funksionit, që do të thotë se ai më nuk do të jetë në gjendje ta drejtojë skuadrën e tij nga bankina në këtë edicion, derisa Faruk Statovci është gjobitur me 250 euro.