Home LAJME Ditët në vazhdim, të vështira për deputetët

Ditët në vazhdim, të vështira për deputetët

Kuvendin e Kosovës po e presin tri çështje shumë të ndjeshme, por edhe të rëndësishme para shpërbërjes së tij. Pjesëtarë të shoqërisë civile, që ndjekin punën e organit më të lartë legjislativ theksojnë se ditët në vazhdim janë mjaftë të vështira për deputetët.

Përderisa nesër pritet të mblidhet Kuvendi i Kosovës, ku do të diskutojë edhe për çështjen e mandatit të EULEX-it, me gjasë ligjvënësit do të marrin ndonjë vendim edhe për çështjen e Gjykatës Speciale, raporton RTK.

Para shpërbërjes së Kuvendit, kjo legjislaturë gjithsesi do të duhej të merr vendime për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, themelimin e Gjykatës Speciale, transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe ligjin e ri zgjedhor. Këtë e ka konfirmuar edhe vet kryeministri Hashim Thaçi.

“Tani është momenti që Kuvendi i Kosovës në mënyrë unike të votojë për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe të vazhdojë për të votuar edhe ligjin e ri zgjedhor, në kuadër të reformës zgjedhore dhe gjykatës speciale”, theksoi Thaçi.

Çështjet që do të diskutohen në Kuvend, analisti Albert Krasniqi i vlerëson të vështira për deputetët.

Megjithatë, ai konsideron se parlamenti tani ndodhet para një akti të kryer dhe e tërë kjo, sipas tij, po ndodhë për shkak të neglizhimeve që kanë ardhur nga vet kuvendi por edhe qeveria.

“Ligjet që tani janë në kalim apo edhe propozimet, qoftë për kalimin e tribunalit apo zgjatjen e mandatit të EULEX-it, nuk janë aspak të lehta për deputetët. Por, këto çështje janë të lidhura ngushtë me punën e deritanishme që është bërë nga ky legjislacion dhe shumë çështje janë zvarritë nga Kuvendi apo kanë qenë nën ndikimin e ekzekutivit dhe tani kanë ardhur para një akti të kryer”, tha Krasniqi.

Ndryshe, preferencat e partive politike janë që pas kalimit të këtyre çështjeve, të shpërbëhet Kuvendi dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, fillimi i qershorit mbetet koha më e preferuar për zgjedhje. /

Previous articleMourinho: Kemi respekt për Atleticon
Next articleKuçi: Ardhjet e reja, cilësi e re