Home LAJME Djali i Isa Mustafës me akuzë kundër pronarit të “Bingo Benzin”

Djali i Isa Mustafës me akuzë kundër pronarit të “Bingo Benzin”

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën, është mbajtur seanca e parë gjyqësore për një propozimakuzë për kanosje, të cilën Arben Mustafa, djali i kryetarit të LDK-së, përkatësisht ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, e kishte bërë më 2012 ndaj pronarit të kompanisë “Bingo Benz”, Ukshin Menxhiqi.

Këtij të fundit Komuna e Prishtinës, në kohën sa drejtohej nga Isa Mustafa, më 2010, ia pati rrënuar një pikë karburanti në lagjen “Tophane”, saktësisht në rrugën “Kuvendi i Lezhës”, afër Xhamisë së Llapit. Shqyrtimi i parë është drejtuar nga gjykatësja Naime Krasniqi, kurse propozimakuzën e nënshkruar nga prokurori publik, Shkëlzen Ibrahimi, e përfaqësonte prokurorja e Shtetit, Bukurije Gjonbalaj. Palën e akuzuar e ka përfaqësuar avokati Aziz Rexha. Në seancë, pa ndonjë arsye për Gjykatën, ka munguar propozuesi i akuzës, Arben Mustafa.

Në propozimakuzë theksohet se më 20 shkurt të vitit 2012 në një qebaptore të kryeqytetit, derisa Arben Mustafa ishte duke ngrënë bukë me një shok të tijin, i pandehuri i është drejtuar me fjalët: “A ka mundësi nja dy llafe me ty?”, teksa i dëmtuari i është përgjigjur se është duke ngrënë bukë. Më tutje shtohet se i pandehuri, “me qëllim të frikësimit, për shkak të një frustrimi lidhur me mosdhënien e lejes dhe rrënimit të pompës së derivateve , ‘Bingo Benz’, nga Komuna e Prishtinës, e ka kanosur seriozisht Arben Mustafën, duke iu drejtuar me fjalët se a ka mundësi që të më hiqeni qafesh ti dhe prindi juaj”. Në fjalinë e fundit bëhet fjalë për të atin e Arbenit, Isa Mustafën, ish-kryetar i Prishtinës, me urdhër të të cilit ishte rrënuar pompa e benzinës më 2010. Arsyetimi për rrënim ka qenë se ai nuk kishte leje ndërtimi dhe është në afërsi të shtëpive.

Pompa e derivateve me pronar Ukshin Menxhiqin është e vetmja e rrënuar në kryeqytet. Ky fakt e ka bërë Menxhiqin që të ndihet i diskriminuar, ndaj ka akuzuar ish-kreun e Prishtinës, Isa Mustafa, se ia ka rrënuar pikën e karburanteve vetëm për shkak të inateve personale, si fqinj, dhe jo për shkak se pompën e ka pasur brenda vendbanimit, shkruan sot Koha Ditore.

Previous article“Peshku mikrofon” mund të gjejë aeroplanin e humbur të Malaysia
Next articleGjilani me grup kundër abuzimit me substanca narkotike në shkolla