Home LAJME Do të punojë për njohjen e Kosovës

Do të punojë për njohjen e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do të vazhdojë me përpjekjet e saj praktike për të bindur pesë vendet anëtare të BE -së se njohja e pavarësisë së Kosovës është vendim i drejtë dhe me interes të stabilitetit dhe unitetit europian.
Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se diplomacia e Kosovës do të synojë dhe do të punojë që gjatë këtij mandati të arrijë njohjen nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së.

Më poshtë lexojeni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:

Politika e jashtme e Kosovës do të jetë vazhdimësi dhe reflektim i politikës së brendshme, në funksion të ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit dhe garantimit të sigurisë së saj shtetërore.
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës do të jenë në fokus të diplomacisë së Kosovës, duke lobuar fuqishëm me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së.
Diplomacia e Kosovës do të synojë dhe do të punojë që gjatë këtij mandati të arrijë njohjen nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së. Arritja e këtij synimi do ta fuqizojë Kosovën si një anëtar i plotë dhe i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare, duke u bërë një kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Kosova do të vazhdojë me përpjekjet e saj praktike për të bindur pesë vendet anëtare të BE –së se njohja e pavarësisë së Kosovës është vendim i drejtë dhe me interes të stabilitetit dhe unitetit europian.
Diplomacia e Kosovë do të angazhohet fuqishëm për thellimin e bashkëpunimit me institucionet euroatlantike, institucionet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s.
Diplomacia e Kosovës do të jetë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut, që do të finalizohej me njohjen ndërsjellë , e që do të mundësojë ndërtimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve, duke vendosur marrëdhënie diplomatike në frymë miqësore dhe europiane.
HTH

Previous articleJahjaga përgëzon Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin për dorëzim-pranimin e detyrës
Next articleMustafa nuk e di nëse do të merr pjesë në Samitin e Beogradit