Sami Sermaxhaj ka dhënë dorëheqje nga klubi i Fushë Kosovës. E, vendin e tij në këtë skuadër pritet ta zë Afrim Tovërlani, me të cilin janë në negociata. Vetë Tovërlani thotë se shanset janë 50:50 që ai të drejtojë Fushë Kosovën në këtë fund-stinor, teksa gjithçka pritet të vendoset më së largu nesër.
Afrim Tovërlani nuk pritet të pushojë edhe shumë pas largimit nga Prishtina. Trajneri kosovar ka gjasa që të marrë drejtimin e Fushë Kosovës për ndeshjet e mbetura në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.
Ishte Sami Sermaxhaj ai i cili i hapi një mundësi të tillë Tovërlanit, pas dorëheqjes që dha nga Fushë Kosova të dielën mbrëma.
Zyrtari i skuadrës së Fushë Kosovës, Bashkim Ismajli, konfirmoi për Express dorëheqjen e Sermaxhajt, teksa shpreson se në vend të tij do ta marrin pikërisht ‘Tokin’.
“Klubi ka aprovuar dorëheqjen e Sermaxhajt dhe ai nuk do të jetë më trajner i yni. Ai ka qenë i vendosur për t’u larguar, andaj i kemi ndarë rrugët”, u shpreh Ismajli.
“Tani ne jemi në bisedime me Afrim Tovërlanin dhe gjasat janë të mira që ai të vjen te ne. Megjithatë, ne presim një përgjigje definitive nga ai më së largu deri nesër”, shtoi tutje Ismajli.
Tovërlani: Gjasat janë 50:50
Në anën tjetër, vetë Tovërlani deklaroi për gazetën se gjasat janë 50:50 që ai të marrë drejtimin e Fushë Kosovës.
“Krerët e Fushë Kosovës më kanë kontaktuar dhe janë kategorik që unë ta udhëheq skuadrën në xhirot e mbetura, megjithatë ende nuk e di”, ka thënë Tovërlani.
“Gjasat janë 50:50 që unë të drejtojë Fushë Kosovën. Ne do të kemi edhe një takim në mbrëmje për t’i definuar më mirë gjërat”, shtoi ish-trajneri i Prishtinës.
Fushë Kosova pati një seri të mirë të ndeshjeve me Sermaxhajn, duke iu rikthyer garës për mbijetesë.
Nëse Tovërlani merr drejtimin e kësaj skuadre, atëherë ai do të debutonte ndaj Llamkos Kosovës së Ismet Munishit, të cilën së fundmi e mposhti në Vushtrri me Prishtinën.