Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lëshon pe përballë presioneve të ish-drejtuesve dhe ish-ministrave të PD-së. Disa prej tyre caktohen si koordinatorë, duke anuluar udhëzimin e mëparshëm.
“Të vjetrit” e PD-së arrijnë fitoren e parë ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Vetëm disa javë pas udhëzimit që përjashtonte nga drejtimin i fushatës së zgjedhjeve në parti, ish-drejtuesit që humbën zgjedhjet në zonat e tyre dhe ish-drejtuesit kryesorë të partisë, disa prej figurave të vjetra të PD-së janë caktuar si koordinatorë në zgjedhjet e Tiranës, të zgjedhur për të monitoruar procesin e zgjedhjeve në strukturat e partisë në kryeqytet.
Vërejtjet e bëra nga ‘të vjetrit’ e Partisë Demokratike duket se kanë bërë që Basha të tërhiqet duke përfshirë në radhët e koordinatorëve dhe deputetë apo ish-deputetë edhe pse nuk mungojnë dhe ish-zyrtarët e qeverisjes së djeshme apo dhe emra të rinj, të afruar rishtazi në strukturat e selisë blu. Vetëm për Tiranën e cila që në fillim u cilësua me status të veçantë, janë caktuar rreth 40 koordinatorë, transmeton Shekulli.
Emërimi i emrave të vjetër dhe me përvojë në parti është fitorja e parë e ish-drejtuesve të PD-së. Jozefina Topalli, Majlinda Bregu apo Albana Vokshi shprehën kundërshtimet e ashpra të tyre, pas nxjerrjes së udhëzimit të dytë për zgjedhjet e PD-së në gjithë vendin, ndërsa Basha, të paktën për një pikë, atë të koordinatorëve, është tërhequr.
Kjo vihet re në listën e emrave të koordinatorëve ku edhe pse ka shumë emra nga radhët e të rinjve demokratë, ka dhe emra të njohur prej vitesh për kontributet e tyre në Partinë Demokratike. Ndër të zgjedhurit janë deputetë dhe ish-deputetë të disa legjislaturave si Tritan Shehu, Jemin Gjana apo ish-ligjvënësja Adriana Gjonaj, por dhe ish-zyrtarë të qeverisjes së djathtë mes të cilëve Ivi Kaso, Gazmend Spahia, Eneida Guria, Genti Minarolli apo Agim Përllaku.
Nuk mungon në listën e të zgjedhurve dhe Grida Duma, e zgjedhur së fundi dhe si koordinatore për Marrëdhëniet me Publikun në PD. Ndër emrat e tjerë të përcaktuar nga Basha si koordinatorë për kryeqytetin janë Erjon Sula, Ylber Vata, Altin Ndroqi, Mirela Tabaku, Dorjan Teliti, Avenir Peka, Igli Stamolla etj. Sipas vendimit të marrë nga kryetari Basha, 3-4 të zgjedhur të tij do të koordinojnë procesin zgjedhor brenda radhëve të demokratëve të kryeqytetit.
Publikimi i udhëzimit të dytë të Bashës për zgjedhjet në strukturat e PD-së në gjithë vendin solli debate të ashpra në kryesinë e ligjvënësve demokratë. Jozefina Topalli kritikoi udhëzimin i cili përjashton nga radhët e kandidatëve, deputetët, të zgjedhurit vendorë apo kryetarët aktualë që kanë kryesuar degët e PD-së për dy mandate. Një tjetër kritikë e saj por dhe e deputetëve Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi apo Majlinda Bregu ka qenë pikërisht për zgjedhjen e koordinatorëve. Njerëz pa kontribute dhe të zgjedhur vetëm për t’i shërbyer kryetarit janë cilësuar nga ligjvënësit të gjithë të deleguarit në rrethe. E ndërkohë që kryeqyteti pritet të rihapë sërish këtë debat edhe pse Basha tashmë ka zgjedhur të alternojë në listën e koordinatorëve emra të rinj dhe të vjetër.
Ndërsa puna po përqendrohet në Tiranë gjithë rrethet kanë vijuar me fazën e dytë të procesit atë të analizës dhe zgjedhjeve. Edhe kjo fazë është shoqëruar me debate të forta sidomos në degën e demokratëve të Shkodrës.
Kryesia e kësaj dege është përplasur ashpër me të deleguarin atje, Gjergj Lezhjen duke lënë për të një listë të gjatë me kritika që duhet ti përcillen kryetarit. Ashtu si në rrethe do të zhvillohet faza e zgjedhjeve dhe në Tiranë.
Risia këtë herë pritet të jetë ndarja e degës së kryeqytetit në disa degë. Kjo është pohuar dhe nga kryetari aktuali PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi. Ka qenë ai vetë që ka sugjeruar zgjedhjen e 3-4 kryetarëve për degën e Tiranës në mënyrë që gjithë strukturat të drejtohen dhe menaxhohen më mirë.