Mbi 150 mijë persona besohet se kanë humbur jetën që prej Marsit të vitit 2011, kur nisi edhe kryengritja kundër presidentit Assad, ndërsa nëntë milionë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre
Pas një pakti të arritur me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kryengritësit sirianë po largohen nga bastioni i tyre i fundit në Siri, Homsi.
Sipas aktivistëve, të paktën tre autobusë me 120 persona lanë “Qytetin e Vjetër” mëngjesin e së mërkurës.
Siç raporton BBC, kjo shënon edhe fundin e pranisë së kryengritësve në zemër të qytetit që u cilësua “si kryeqendra e revolucionit” kundër Bashar Al Assad.
Në fillim të këtij viti, rreth 1.400 persona u evakuuan nga “Qyteti i Vjetër” pas një operacioni të mbikëqyrur nga OKB dhe Gjysmëhëna e Kuqe.
Korrespondenti i BBC-së në Bejrut, Paul Wood tha se kryengritësit dhe familjet e tyre ishin të trishtuar kur i thanë lamtumirë një qyteti, të cilit iu betuan se nuk do ta braktisnin kurrë.
Guvernatori i Homsit, Talal Al Barazi i tha BBC-së se operacioni i shpërnguljes do të përfundojë të mërkurën. Më herët, ai foli për agjencinë e lajmeve SANA dhe tha se në total do të shpërngulen 2,000 persona.
Ndërsa sipas një aktivisti sirian të cituar nga “Associated Press”, mbi 1.200 kryengritësit pritet të largohen nga qyteti.
Ndërkohë, kryengritësit në veri të vendit lejuan ndihmat humanitare në dy qytetet e dominuara nga shiitët, besnikë të presidentit Bashar Al Assad, Nubul dhe Zahra, të cilët mbaheshin të rrethuar.
Marrëveshja, që u arrit nga OKB pas disa muajsh negociata, parashikon edhe lirimin e disa pengjeve që mbaheshin nga kryengritesit në Alepo.
Korrespondenti i BBC-së thotë se grupet e armatosura brenda qytetit të vjeter të Homsit janë të ndara për të pranuar ose jo armëpushimin.
Mbi 150 mijë persona besohet se kanë humbur jetën që prej Marsit të vitit 2011, kur nisi edhe kryengritja kundër presidentit Assad, ndërsa nëntë milionë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.