Home LAJME Droga, bolivianët përleshen me ushtrinë

Droga, bolivianët përleshen me ushtrinë

Policia boliviane është përleshur me banorët që protestojnë kundër ndërtimit të bazave ushtarake anti-drogë në plantacionet e kultivimit të gjetheve të kokës, prej nga nxirret kokaina.

Përfaqësuesit e komuniteteve deklarojnë se banorët druhen se rritja e pranisë policore do të çojë në rritjen e dhunës dhe abuzimit. Shefi i policisë rajonale, Johnny Requena fajësoi grupet e trafikantëve se kanë nxitur qytetarët për të protestuar kundër bazave, në qytetin Japakani.

Bolivia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të gjetheve të kokës, që janë dhe materiali bazë i pluhurit të bardhë që vërshon drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Përplasjet mes policisë dhe banorëve u verifikuan në prag të një ceremonie për vendosjen e gurit të parë të bazës. Forcat e rendit qëlluan me gaz lotësjellës ndaj manifestuesve, të cilët nga ana e tyre lëshuan gurë dhe ngritën blloqe në rrugë për të penguar vazhdimin e ceremonisë.

Bashkimi Evropian po financon qendrat kundër drogës në Bolivi, që pritet të kushtojnë 1.3 milionë dollarë. Qyteti Japakani ndodhet në kufi me rajonin Çapare, ku kultivohen gjethet e kokës dhe që njihet si vatër për trafikun e narkotikëve për në Evropë dhe Brazil.

Prodhimi i një sasie të kufizuar gjethesh lejohet me ligj në Bolivi. Komunitetet indigjene tradicionalisht i përdorin ato në çaj, si një lloj stimulanti për të lehtësuar sëmundjet e lartësisë. Megjithatë, qeveria i çrrënjos plantacionet ilegale dhe ka programe serioze për të frenuar trafikun e drogës.

Previous articleKosova, e përkushtuar që të bëhet anëtare e OKB-së
Next articleUkraina, Putin i telefonon Obamas