Me intonimin e himnit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës ka filluar ceremonia e përkujtimit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999 dhe nderimit për të gjithë ata shqiptarë të Shqipërisë që i pritën të ikurit nga Kosova.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në pikën kufitare në Vërmicë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët janë nisur për në Kukës së bashku me kabinetet e tyre.
Këtë vit takimi i përbashkët do të jetë në shenjë përkujtimi për 15 vjetorin e eksodit të shqiptarëve gjatë vitit 1999 dhe nderim për të gjithë ata shqiptarë që i pritën të ikurit nga Kosova.
Gjatë kësaj ceremonie janë paraqitur pamje rrëqethëse gjatë përndjekjes së shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, duke përkujtuar kështu vuajtjen dhe sakrificën e qytetarëve në atë kohë.
Po ashtu janë prezantuar edhe raportimet e atëhershme të mediave të huaja lidhur me situatën.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj e vlerësoi lartë takimin e sotëm të dy qeverive,
“Flet për vetëdijen tonë historike. Flet për atë se sa rrugë e gjatë e me sakrifica të mëdha kemi mundur të vijmë në atë pike, ku jemi sot. Së dyti, flet për atë se si popujt e vegjël me një vetëbesim të krijuar në histori mund ta formësojnë të ardhmen e tyre. Dhe për këtë, shembulli më i mirë është lufta e UÇK-së. Së treti, flet se, pas mbledhjes së dy qeverive dhe pas nënshkrimit të partneritetit strategjik, u krijua një vizion strategjik se si mund të duket e ardhmja e bashkëpunimit”, ka përfunduar, ndër tjerash ministri Hoxhaj.