Home Uncategorized Fëmijët duhet të mbrohen nga të gjitha llojet e abuzimeve

Fëmijët duhet të mbrohen nga të gjitha llojet e abuzimeve

1Gjilan – Në shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, të premten është hapur ekspozita me punimet e nxënësve, kundër përdorimit të drogave, parandalimit dhe edukimit kundër përfshirjes në rrjetin e përdoruesve të narkotikëve, që ndikojnë në devijimin e jetës së të rinjve, kurse në ambientet e hotelit “Kristal” është mbajtur një debat për dhunën në shkolla dhe familje.

Me këtë rast drejtori i kësaj shkolle, Florim Bajrami, ka thënë se kjo është një nismë e nivelit shumë të mirë, sepse ndikon në parandalimin e depërtimit të rrjetit të përdoruesve të drogave nëpër shkolla. Ai ka apeluar që të gjithë nxënësit që kanë dijeni për përfshirjen e ndonjë shoku apo shoqeje, menjëherë të lajmërojnë policinë e Kosovës, drejtorinë, apo kujdestarin e klasës.

Nxënësit nëpër shkollat tona, nga përdoruesit e drogës konsideroheni si deputet (përfaqësues) të tyre në zgjerim sa më të madh të rrjetit vdekjeprurës dhe degradues total të shoqërisë, ka thënë ai.

Ndërsa Sahadete Sadiku nga Policia e Kosovës, ka bërë me dije se ndihma që vjen nga nxënësit është shumë e madhe në kapjen e rrjetit të përdoruesve të drogave që janë nga Gjilani apo që në Gjilan bëjnë shpërndarje të narkotikëve. Me shumë rëndësi është ky aktivitet i juaji, sepse të gjithë ju jeni ata që mund të ndikoni në shoqërinë tuaj dhe ta sensibilizoni edhe më shumë efektet vdekjeprurëse që ka përdorimi i narkotikëve, ka thënë Sadiku.

Ajo gjithashtu ka thënë se mbështetja e Policisë së Kosovës për ju është shumë e madhe në këtë mision që domosdo duhet të ndërpritet ose të ndikohet që përhapja të kufizohet në maksimum.

Ndërsa Shqipe Kastrati, psikologe në Drejtorinë Komunale të Arsimit, ka thënë se këto punime ndikojnë mjaft shumë në edukimin, informimin dhe parandalimin e moshatarëve tuaj, që të largohen nga kjo rrugë, apo edhe të edukohen që fare të mos përfshihen në këtë fushë tepër të dëmshme për shoqërinë. Është me shumë rëndësi kjo që ju sot keni bërë, sepse përmes këtyre punimeve ju e ndryshoni të ardhmen e rrezikuar të shumë të rinjve që sot janë të ndikuar nga kjo dukuri e rrezikshme.

Ndërkohë të premten është mbajtur edhe një debat për dhunën në shkolla dhe familje, në organizim të Qendrës Rinore, ku është thënë se në Gjilan, kjo dukuri nuk është shqetësuese, por është sugjeruar e nevojshme që shkollat e këtushme të kenë psikologët e tyre, të cilët do të merreshin me trajtimin e rasteve eventuale.

Shqipe Kastrati Haziri, psikologe në Drejtorinë e Arsimit, ka thënë se Gjilani nuk ka psikologë nëpër shkolla, ndërkohë që shumica komunave i kanë ata. Në këtë gjendje, në një komunë me mbi 25 mijë nxënës, mundësitë për të ofruar shërbime psikologjike nëpër shkolla janë të kufizuara, megjithëse ne nuk hezitojmë që t`iu përgjigjemi të gjitha rasteve, ka thënë ajo.

Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se policia i jep rëndësi të veçantë sigurisë në shkolla, prandaj në afërsi të këtyre institucioneve, vazhdimisht ka policë civilë që kujdesen për sigurinë.

Këtij debati, qoftë duke u përgjigjur në interesimet konkrete të fëmijëve pjesëmarrës, qoftë me diskutimet e tyre, i kanë kontribuar edhe Hanumshahe Rexhepaj, zyrtare komunale për të drejtat e fëmijëve, Nehat Berisha, zyrtar nga Qendra për Punë Sociale, Kujtesa Fazliu, bashkëpunëtore profesionale e gjykatës, Xhevat Aliu nga Qendra Rajonale për Punësim, Avni Behluli, drejtor i shkollës së Arteve si dhe të tjerë.  /RadioRINIA/

Previous articleAgani: po merr pjesë në Seminarin Global të Salzburgut
Next articleMSh: organizoi debat për Projektligjin e Sigurimeve Shëndetësore