Femrat dhe zgjedhjet lokale

Nëntë femra ja kanë mësyrë që të marrin postin e të parës në ndonjë komunë në Kosovës. BE-ja pret që Kosova për herë të parën kryetare femër për komunë, ndërsa shoqëria civile bënë thirrje: “Qika, votoni edhe ju” dhe “Me një gjini nuk ka demokraci”.

Partia më e madhe në vend, PDK-ja, nuk ka kandiduar asnjë femër, njëlloj ka bërë edhe LDK-ja, ndërsa Vetëvendosje dhe AKR-ja kanë nga dy e më shumë kandidate. Një është e pavarur, një nga Partia e Drejtësisë e një nga Partia Social Demokrate. Edhe AAK-ja ka një kandidate.

Janë zgjedhjet e para lokale që shumë njerëz besojnë që postin e kryetares ta merr edhe një femër, si asnjëherë në Kosovë. Madje, pritje të tilla ka edhe i pari i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili para disa muajsh deklaroi në Prishtinë se pret që Kosova të ketë një kryetare femër.

Për të drejtat e femrave në Kosovë edhe shoqëria civile ka bërë shumë projekte. Janë marrë me femrat kandidate, femrat e përfshira në këtë proces e edhe me ato që janë vetëm votuese.

Flora Macula, shefe e zyrës të UN Women në Kosovë, sikurse Zbogari, shpreson që të ketë kryetare femër të Kosovës. Madje, katër prej tyre shpreson të jenë të zgjedhura.

“Kjo varet sa ka përkrahjen nga partia, sidomos përkrahje për kampanjën dhe shpenzimet që bëhen për të zhvilluar për kampanjë, por varet edhe sa vet ato kanë qenë afër popullit që të u përgjigjen kërkesave të tyre”, thotë ajo.

Macula thotë këto janë zgjedhje të hapura dhe varet shumë se sa komuniteti është i vetëdijshëm për rolin e gruas në shoqëri.

Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës për Politikë dhe Avokim, Shqipe Pantina, beson se deklarata e Zbogarit është e motivuar për shkak se në këto zgjedhje kemi më shumë kandidate femra kandidate për të parën e komunës.

“Shpresoj shumë që votuesit tanë të jenë tashmë të emancipuar që të vendosin që edhe një femër të jetë e para e tyre, por kjo do të duhej të bazohej dhe besojë që bazohet më shumë në vlerat që ato prezantojnë e jo thjeshtë gjinisë të cilës i takojnë”, ka thënë ajo.

Shoqëria civile gjatë tërë kohës janë munduar që të edukojnë secilin për të drejtën e gruas, përfshirjen e saj në zgjedhje dhe rolin e saj në tërë këtë proces.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) e ka realizuar fushatën „Qika, votoni edhe ju“. Përmes një spoti fushata ka për qëllim vetëdijesimin politik të vajzave për rëndësinë e votimit dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në votim.

Luljeta Demolli, menaxhere e projektit në këtë qendër thotë se një çështje shqetësuese në këto zgjedhje është mos adresimi i votës së gruas.

“Përkundër numrit të madh të grave votuesve në Kosovë, përqindja e grave votuese që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit është më e ulët se ajo e burrave. Konsiderohet që çdo e treta grua del në votime. Po ashtu, pjesëmarrja e grave në prirjen e listave në komunat e Kosovës është e vogël”, thotë ajo.

Menaxherja e projektit, Shqipe Gjocaj thotë se kanë për qëllim të tregojnë se nuk ka demokraci pa votën e pavarur të gruas, nuk ka demokraci pa daljen e gruas në votim, nuk ka demokraci pa gruan si pjesë e trupave menaxhuese zgjedhore.

Shoqëria civile gjithë kësaj pune i ka hyrë me përpjekjen për fuqizimin e gruas në procesin zgjedhor me fokuse në përmirësimin e njohurisë së votuesve për aspektet kryesore të procesit zgjedhor, edukimin e grave për të mbrojtur të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë, dhe avokimin për përfshirje më të madhe të grave në trupat menaxhuese zgjedhore.

Ndryshe mësohet se në komisionet Komunale Zgjedhore, nga 280 anëtarë të emëruar deri më tani, 90 për qind janë meshkuj e vetëm 10 për qind femra. Vetëm katër komuna kanë kryesuese në KKZ-së. Bartëse të listave nga gjithsej 395 lista, 376 janë meshkuj dhe vetëm 19 femra.

Nëntë kandidatet femra për gjashtë komuna të Kosovës janë:

Nga Aleanca Kosova e Re, kandidate për Gjakovë është Mimoza Kusari – Lila. Kjo parti ka edhe një kandidate tjetër, Teuta Hasanin në Istog. Ajo është arkitekte me profesion.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje ka tri kandidate. Në Gjakovë, në Kaçanik dhe në Skenderaj. Në Kaçanik është Afide Kuka, në Skenderaj është Ajnishahe Halimi, ndërsa në Gjakovë është Arbërie Nagavci.

Edhe kryeqyteti ka kandidate femër. Është Kaqusha Jashari nga Partia Social Demokrate.

AAK-ja kandidate femër e ka Donika Kada-Bujupi për Istogun. Ndërsa, Partia e Drejtësisë ka kandidate për në Gjilan – Labinotë Demi – Murtezin.

E vetmja kandidate e pavarur femër në këto zgjedhje është Adrijana Hodzic në Mitrovicën veriore. /RadioRINIA/