Home LAJME FMN lavdëron Mustafën për mos-rritjen e pagave

FMN lavdëron Mustafën për mos-rritjen e pagave

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për sfidimin e kërcënimit me greva dhe për këmbënguljen e tij që të vazhdojë me planet për mos-ngritje të pagave të sektorit publik.

Kryeministri Mustafa i ka vënë veto zotimit të paraardhësit të tij për të rritur pagat e sektorit publik për 25 për qind në baza vjetore për katër vjetët e ardhshme, pas një rritjeje të ngjashme vitin e kaluar.

Kuvendi i Kosovës të hënën ka debatuar për buxhetin e vitit 2015, i draftuar nga qeveria e kaluar por i amenduar nga Mustafa për të hequr rritjen e pagave.

“Sipas pikëpamjes sonë, mos-rritja e dytë e pagave në një periudhë kaq të shkurtër, do të ishte vendimi i duhur”, ka thënë Frank Lakwijk përfaqësues rezident i FMN-së në Kosovë, raporton Koha.net.

“Duke shfrytëzuar një hise më të madhe të buxhetit për të paguar pagat e sektorit publik, Kosova ul burimet e saja për edukim e infrastrukturë dhe për projekte të energjisë, projekte për të cilat vendi ka shumë nevojë”, theksoi ai.

“Premtimi i vazhdueshëm jashtë mundësive nuk është mënyrë për të përmirësuar qëndrueshëm standardin”.

FMN thekson se që nga 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, paga mesatare e sektorit publik është më shumë se dyfishuar, duke u rritur tri deri në katër herë më shpejtë sesa në vendet tjera të Ballkanit.

“Rritja e pagave nga ky vit do të respektohet. Rritjet tjera do të bëhen në pajtim me mundësitë e buxhetit”, ka thënë sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa.

Në orët e vonshme të së hënës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Buxhetin e Vitit 2015 me 73 vota për, 22 kundër dhe asnjë abstenim.

Previous articleKrasniqi premton: Titullin e botës do ta sjell në Kosovë!
Next articleIsa Mustafa:LDK i dha shumë Kosovës