Home LAJME Fule: MSA, hapi i parë, ka shumë punë për tu bërë

Fule: MSA, hapi i parë, ka shumë punë për tu bërë

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, në takimet me liderët institucional në Kosovë, ndër tjerash edhe zgjedhje të lira dhe të drejta. Gjithashtu ai ka kërkuar edhe vazhdimin e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe nevojën e vazhdimit të reformave në sundimin e ligjit.

“Tani Kosova ka shënuar një pikë tjetër të rëndësishme drejt arritjeve, atë të arritjes së marrëveshjes së stabilizim-asociimit”, ka thënë Fule.

Megjithatë sipas tij, gjithashtu drejt rrugës së integrimeve evropiane, Kosova duhet të bëjë edhe hapa tjerë.

“Kemi diskutuar për reformat dhe hapat e ndërmarra në rrugën drejt integrimeve evropiane. Procesi i marrëdhenieve me Serbinë, mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, të drejta dhe të lira, si dhe nevoja e vazhdimit të reformave në sundimin e ligjit”, ka thënë Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu ka përshendetur edhe “pranimin e mandatit të ri për EULEX-in si dhe pajtimin për formimin e Gjykatës Speciale”.

Komisioneri Fule gjithashtu ka bërë thirrje në atë që ai e ka quajtur “zhvillimin ekonomik, përkatësisht qasjen strategjike për uljen e papunësisë”, duke shtuar se edhe në këtë drejtim Kosova do të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi, duke vlerësuar se rruga drejt marrëveshjes së stabilizim-asociimit, ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i punës së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit.

“Dokumenti i MSA-së forcon edhe më tej raportet me Bashkimin Evropian. Edhe sa i përket liberalizimit të vizave e njoftova komisionarin se Qeveria e Kosovës i ka realizuar detyrimet”, ka thënë Thaçi.

Ai gjithashtu ka shtuar se është biseduar edhe për dialogut me Serbinë, përkatësisht normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Sa i përket dialogut, Qeveria, institucionet, do tëe vazhdojmë të përkushtuara të vazhdojmë këtë proces në drejtim të implementimit të marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, drejt një të ardhme të sigurtë për të dyja vendet”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Previous articleVilla: Atletico favorit për titull
Next articleGenta, bukur me veshje sportive