Gabimet më të shpeshta gjatë përdorimit të barnave

Një hulumtim i realizuar kohë më parë ka treguar se 46 për qind të njerëzve nuk e dinë se si t’i marrin me rregull barnat që përdorin. Edhe shumica e efekteve të dëmshme të barnave shfaqen pikërisht për këtë arsye.

Ja cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjmë gjatë përdorimit të barnave.

Copëtimi i tabletave për t’i përtypur më lehtë
Disa barna qëllimisht janë ndërtuar ashtu që të mund të veprojnë më gjatë ose të fillojnë të veprojnë më vonë, andaj janë të veshur me shtresa të ndryshme. Nëse ju e dëmtoni këtë shtresë mbrojtëse, në organizëm do të lëshohet sasi më e madhe përnjëherë.
Një shembull janë barnat për tension të gjakut të cilat kanë veprim njëditor, ndërsa njerëzit e moshuar shpesh i copëtojnë tabletat. Nëse ju i përdorni duke i copëtuar, mund të vijë deri te rënia e shpejtë e shtypjes së gjakut, që mund t’u çojë në humbje të vetëdijes.

Ibuprofeni para stërvitjeve
Nëse merrni ndonjë ilaç para stërvitjeve, ashtu që të lehtësoni qëndrueshmërinë e stërvitjeve, mund të jeni në rrezik pasi nuk do të mund të vëreni nëse lëndoheni.
Po ashtu, hulumtimet holandeze kanë treguar se ibuprofeni para stërvitjeve të rënda si vrapimi ose ngasja e biçikletës shkakton dëmtim të mukozës së lukthit. Edhe pse kjo dukuri zgjat disa orë, gjatë kësaj kohe mund të vijë edhe te probleme tjera si helmimi me ushqim, pasi bakteret mund të arrijnë edhe në qarkullimin e gjakut për shkak të mukozës së dobësuar.
Madje, disa ekspertë thonë se mund të vijë edhe te humbja e vetëdijes nëse ju përdorni barna të caktuara para stërvitjeve. Beta-bllokuesit pengojnë rritjen e tensionit normal të gjakut, por truri ka nevojë për më shumë gjak kur ju jeni duke u stërvitur. Kur kjo nuk ndodh, mund të vijë deri te të fikëtit.
Po ashtu, antibiotikët me përmbajtje ciprofloksacine, të cilët jepen për infeksione të sistemit urinar ose të helmimit me ushqim siç është salmonela, mund të dobësojnë gilcat (tejzat) në nyja. Nëse ngrini pesha të mëdha, do t’i dëmtoni tejzat më lehtë.

Kremrat
Edhe pse duken sikur janë të parrezikshme, kremrat për shërimin e disa gjendjeve mund t’ju vrasin. Bëhet fjalë për kremrat të cilat përmbajnë metil-salicilat, veçanërisht kur përzihen me llojet e kremrave tjera kundër dhimbjes.
Po ashtu, përdorimi i rregullt i kremrave me përmbajtje steroide, siç janë ato për trajtimin e ekzemave, në fund mund të çojë në hollim dhe pëlcitje të lëkurës. Kremrat të cilat përmbajnë estrogjen dhe progestreron, si rezultat i përdorimit të shpeshtë mund të çojnë në nivele të larta të tyre në organizëm sa mund të përjetoni dhimbje në gishta.
Njerëzit shpesh përdorin më shumë kremra se sa është e përshkruar pasi mendojnë se do të shërohen më shpejt, por në fund kjo mund të jetë kundërefektive.

Barnat kundër ftohjes
Disa studime kanë treguar se barnat e dhimbjes të cilat përdoren në rastet e ftohjes, në të vërtetë mund ta zgjatin kohëzgjatjen e sëmundjes. Ibuprofeni ul pezmatimin, por mund të pamundësojë organizmin që të luftojë infeksionin, thonë mjekët britanikë.
Nëse ndjeheni keq, më e mira është të zgjidhni paracetamolin pasi ai ul edhe temperaturën dhe ju do të ndjeheni më mirë. Studiuesit amerikanë tregojnë se edhe këtu duhet të keni kujdes, pasi temperatura e rritur do të thotë se organizmi po i lufton inflamacionet dhe viruset, ndërsa me uljen e saj, kjo nuk do të ndodhë, por do të zgjatet koha e rikuperimit.

Paracetamoli
Brenda 24 orëve mund të përdoren më së shumti katër gramë paracetamol. Ky bar zakonisht vjen i paketuar në tableta 500 miligramë, por nuk guxon të përdoren më shumë se dy tableta përnjëherë pasi mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë.
Sipas studimeve nga Universiteti i Edinburgut, edhe personat të cilët kanë pirë dy ose tre tableta më shumë se sa preferohet, kanë shfaqur shenja të mbidozimit. Ato më së shumti kanë qenë te rastet e dhimbjes së dhëmbëve ose të këmbëve.