Home LAJME Gashi përsërit: Kisha do të trajtohet sipas ligjeve

Gashi përsërit: Kisha do të trajtohet sipas ligjeve

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka reaguar në faqen e tij në Facebook, pas debatit publik, sidomos nëpër rrjetet sociale, për Kishën ortodokse që ishte ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

“Çështjen e fatit të mëtutjeshëm të kishës së papërfunduar në oborrin e Universitetit të Prishtinës do ta vendosë ligji. E tërë ajo që unë po insistoj është që ky objekt të trajtohet njëjtë si të gjitha objektet tjera, të cilat nuk e kanë të definuar statusin juridik. Implementimi i ligjit nuk e rrezikon askënd dhe jemi duke u munduar që të gjejmë një zgjidhje, për një plagë e cila e rëndon kryeqytetin e Kosovës, që nga mesi i viteve të 90-ta, kur ka filluar ndërtimi i Kishës Ortodokse Serbe”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, ndonëse nga shumica e shqiptarëve, ky objekt është konsideruar si provokim i regjimit të Milloshevicit dhe me prapavijë puro politike dhe nga shumica e serbëve mund të konsiderohet si objekt fetar, në mënyrë që të depolitizohet kjo çështje dhe të gjendet një zgjidhje adekuate, është propozuar që të zgjidhet në rrugë ligjore, në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Pra, që ky objekt të futet në kuadër të objekteve të cilat do të trajtohen përmes ‘Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje’”, ka potencuar Gashi.

Ai ka shtuar se përmes ligjit për trajtimin e objekteve pa leje, do të trajtohen mbi 50 mijë objekte në Kosovë dhe të gjitha nga këto kanë ndjeshmërinë e vetë.

“Aty ka shtëpi banimi, objekte afariste e ndoshta edhe fetare. Pra edhe ky objekt ka ndjeshmërinë e vet, por nuk duhet të lejojmë që emocioni të dominoj mbi ligjin”, ka thënë ministri Gashi.

Për fund ai ka reaguar edhe ndaj një deklarate të imamit Shefqet Krasniqi, siç thotë Gashi “në mbrojtje të kishës”, duke iu përgjigjur se “objekti në fjalë nuk hyn në listën e objekteve të mbrojtura të Republikës së Kosovës”.

Previous articlePërfundon sezoni për Cech, ndoshta edhe Terryn
Next articleSi humbi peshë Britney Spears?