Në një takim të Degës së LDK-së në Skenderaj, ku merrnin pjesë edhe strukturat udhëheqëse të partisë nga qendra, u tha se për LDK-së është e rëndësishme fitorja në zgjedhjet nacionale. Duke marrë pjesë në këtë takim, Gani Geci, tha se ka ardhur koha që LDK dhe LDD në Skenderajt të bashkohen, në mënyrë që ta mundin Thaçin.
“Fitorja e LDK-së nuk duhet të mbështetet vetëm në dobësitë dhe qeverisjen e keqe të koalicionit të tanishëm qeveritar në krye me PDK-së, por para së gjithash, në dëshmitë për vlerat që ofron LDK-ja për vendin dhe për qytetarët, si dhe në besimin që ajo duhet të reflektojë për brezat e rinj. Për LDK-së është e rëndësishme fitorja në këto zgjedhje, aq sa edhe qeverisja e mire dhe efektive, e cila do të pasojë në të ardhmen”, kështu u tha në takimin që Dega e LDK-së në Skenderaj e pati me përfaqësuesit nga qendra, transmeton Kosovainfo.
Në këtë takim u pa një prani e madhe e anëtarësisë dhe një mobilizim i pashoq për zgjedhjet parlamentare.
Në takim ishte prezent ishte edhe Gani Geci me të gjitha strukturat e LDD-së së Skenderajt.
Ai tha se ka ardhur koha që LDK e Skenderajt ta ketë një deputet në Kuvend të Kosovës e kjo bëhet duke u bërë bashkë LDK dhe LDD në këtë qytezë.
“Ne nuk kemi pretendime që ta marrim degën. Le të jetë ky kryetar që është, por hajde të bëhemi bashkë. Të shkrihemi ne në LDK, të bëhemi dy kryesitë një. Nëse mendoni se LDK duhet ta ketë një deputet nga Skenderaj, ma jepni rastin atëherë, sepse unë i kam votat”, tha Geci.
Ai tha se, nëse kryesia qendrore e partisë nuk e do bashkimin, atëherë ajo nuk e do pushtetin.
“Vetëm të bashkuar e mundim Thaçin”, tha Geci.
Përfaqësuesit nga Prishtina u zotuan se do të punojnë për unifikim e kësaj dege dhe brenda afatit prej shtatë ditësh do të nisin edhe përpjekjet konkrete.