Home LAJME Gjiganti Trepça i kthehet shtetit të Kosovës

Gjiganti Trepça i kthehet shtetit të Kosovës

2Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ndërmarrja shoqërore “Trepça” të shndërrohet në ndërmarrje publike. Kryeministri Thaçi tha se kjo ndërmarrje do të hiqet nga administrimi i AKP-së dhe t’i kthehet shtetit, me çka, sipas tij, do të ndikoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndryshimet ligjore në këtë pikë i ka propozuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili.

“Duke pasur parasysh qëllimin e Trepcës dhe ushtrimin e të drejtave, ju rekomandoj aprovimin e këtij vendimi”, ka thënë gjatë mbledhjes ministri i Zhvillimit EKonomik, Fadil Ismaili.
Por, zv/kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi ka pyetur ministrin për procedurat e riorganizimit të ndërmarrjes. E Ismajli tha se veprimtari thelbësore konsiderohen minierat dhe flotacionet, duke shtuar se Qeveria nuk do të merret më asetet jo-thelbësore të Trepçës, pasi konsideron se nuk ka interes të posaçëm.
Kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimin edhe sa i përket miratimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, të cilin e ka vlerësuar në përputhje me vizionin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe krijim të instrumenteve ligjore për nxitje të investimeve në Republikën e Kosovës.
“Sot miratojmë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, përmes të cilit vendoset baza ligjore që me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës të hiqen nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrjeje dhe si rrjedhojë regjistrimin e tyre si ndërmarrje publike në pronësi të Republikës së Kosovës.
Miratimi i këtij ligji sipas kryeministrit është poashtu në përputhje të plotë me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës,”ku përmes krijimit të mundësive për zhvillimin e resurseve minerare dhe zgjerimit të modernizimit të industrisë së përpunimit minerar garantohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, hapje e vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës”
Gjithashtu, përmes këtij ligji mundësohet krijimi i kushteve ligjore dhe institucionale për rritjen e shpejte të investimeve në sektorin minerar, forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, rritjen e interesit të komunitetit dhe garantimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
Çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligj kanë të bëjnë me krijimin e bazës juridike që me vendim të Kuvendit të Kosovës të hiqen nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore dhe këto të regjistrohen si ndërmarrje publike në pronësi të Republikës së Kosovës. Sipas Projektligjit, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndonjë ndërmarrje shoqërore, ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, përfshirë asetet e tyre, dhe të autorizojë Qeverinë që këtë ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë e caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e merr këtë vendim nëse për një veprim të tillë ekziston një interes madhor publik.

Previous articleI gjenden 4 pako tritol në shtëpi, arrestohet
Next articleQeveria rikundërshton themelimin e Tribunalit për UÇK