Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan të hënën ka themeluar grupin kundër abuzimit me substanca narkotike në shkolla të kësaj komune. Në këtë funksion është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit midis Policisë së Kosovës, Qendrës së Punës Sociale, Qendrës së Shëndetit Mendor dhe Këshillit të Prindërve, shkruan sot Koha Ditore.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka deklaruar se janë të gatshëm për të marrë mbi supet e tyre barrën, në mënyrë që të bëhet vetëdijesimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për rrezikun që u kanoset nga përdorimi i substancave narkotike. “Jemi të vendosur për të krijuar një ambient të duhur për mësim cilësor në shkollat tona. Duke e marrë parasysh moshën që kanë fëmijët e shkollave, programet e tilla janë të domosdoshme për t`i vetëdijesuar ata për rrezikun nga përdorimi i substancave narkotike”, ka thënë ai.