Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale, ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me ish-pjesëtarët e UÇK-së. Sipas tij, kjo gjykatë do të merret edhe me vrasjet që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë dhe me çështjet e korrupsionit.
“Kjo gjykatë nuk është vetëm për UÇK-në, por për krimet e kryera gjatë vitit 1998, pas qershorit të vitit 1999, pra edhe pas çlirimit të Kosovës. Kjo gjykatë do të merret edhe me vrasjet që kanë ndodhur pas luftës, të cilat sigurisht janë duke u hetuar. Po ashtu, kjo gjykatë do të merret edhe me milionerët e ri, të cilët janë bërë milionerë për dy vjet. Pra, kjo gjykatë do të merret edhe me veprat penale të korrupsionit”, ka deklaruar Salihu.
Edhe pse zyrtarisht nuk dihet se sa do të jetë mandati i Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së, e cila pritet të themelohet së shpejti, profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka bërë me dije për “Epokën e re”, se mandati i kësaj gjykate mund të jetë më shumë se pesë vjet.
“Sipas statutit të kësaj gjykate, mandati i saj së paku do të jetë pesë vjet dhe do të jetë i pakufizuar. Pra, minimumi i mandatit të kësaj gjykate do të jetë pesë vjet. Mandati i Gjykatës Speciale mund të jetë 7, 10 e deri në 15 vjet. Pra, sa të ketë nevojë për t’i sjellë në mend shqiptarët dhe për ta sjellë në vend Kosovën”, është shprehur Salihu.
Ai ka vlerësuar se më mirë do të ishte që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë në favor të themelimit të kësaj gjykate.
“Më mirë do të ishte që deputetët ta pranojnë këtë gjykatë, sepse me vendos Këshilli i Sigurimit të OKB-së bëhet më keq. Edhe pse ne nuk jemi duke e kërkuar këtë gjykatë, por duhet të bëhemi kinse po e kërkojmë. Prandaj më mirë është ta pranojmë këtë gjykatë, sepse do të ishte më mirë edhe për histori, edhe për imazh të Kosovës”, ka deklaruar Salihu.
Pavarësisht kësaj, profesor Salihu ka thënë se Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së nuk do të jetë nën juridiksionin e Kosovës.
Sipas tij, prokurorët dhe gjyqtarët e kësaj gjykate do të jenë ndërkombëtarë.
“Gjykata Speciale për krime lufte nuk ka lidhje me juridiksion të Kosovës. Kjo gjykatë krejtësisht do të jetë jashtë juridiksionit të Kosovës. Vendorët nuk do të kenë kurrfarë pushteti. Ajo çfarë do të jetë e Kosovës është Kodi Penal”, ka thënë ai.
Veprat që janë kryer gjatë vitit 1998-1999, sipas Salihut, do të gjykohen sipas Kodit Penal të ish-Jugosllavisë.
“Është parim i drejtësisë, se njerëzit duhet të dënohen në bazë të ligjeve që kanë qenë në fuqi gjatë kohës kur kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Aty nuk do të ketë shqiptarë-kosovarë. Krejt gjykatësit dhe prokurorët e kësaj gjykate do të jenë ndërkombëtarë. Nuk u zënë besë më shqiptarëve. Ata janë gërdit prej shqiptarëve”, ka deklaruar Salihu, duke shtuar se institucionet vendore të drejtësisë do të jenë vetëm në shërbim të ndërkombëtarëve.
“Kurrfarë juridiksioni nuk do të jenë as policia, as prokuroria dhe as gjykatat tona. Policia dhe gjykatat tona do të punojnë veç çfarë kërkojnë ndërkombëtarët. Pra, institucionet tona të drejtësisë do të jenë argat të ndërkombëtarëve”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, Salihu ka thënë se edhe të dënuarit nga kjo gjykatë, dënimin do ta kryejnë jashtë Kosovës.
“Ndonjë shqiptar apo kosovar dënimet do t’i mbajë jashtë Kosovës, nëpër shtete të tjera, sepse shqiptarët edhe burgjet nuk po dinë me i mbajt, i kanë prish krejt. Të burgosurit ditën po rrinë në burgje, por natën po dalin prej tyre”, është shprehur Salihu.