Home SPORT Granit Xhaka nuk mendon si Lorik Cana

Granit Xhaka nuk mendon si Lorik Cana

grGranit Xhaka është kundër krijimit të një Kombëtare të përbashkët Kosovës – Shqipëri. Ai nuk e ka përjashtuar mundësin që të luaj për përfaqësuesen e Kosovës, kur kjo e fundit të pranohet në FIFA.

Lorik Cana po insiston që të gjithë shqiptarët ta kenë një Kombëtare të përbashkët. Por, kështu nuk mendon Granit Xhaka. Mesfushori i Borussia Monchengladbach është kundër krijimit të një Kombëtare të përbashkët Kosovës – Shqipëri.

“Është e vërtetë se ne jemi një komb, por kemi dy shtete. Realiteti është i tillë. Pasi që tash e kemi shtetin, si Kosovë, duhet të bëjmë edhe përfaqësuesen e futbollit të Kosovës”, ka deklaruar mesfushori prishtinas në një intervistë për portalin albinfo.ch.

“Ne si lojtarë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës kemi biseduar së bashku dhe e kemi përgëzuar vendimin për lejimin e miqësoreve të kombëtares së Kosovës. Kështu do t`i jepet një shans lojtarëve nga Kosova që të shpërthejnë izolimin, të luajnë me ekipe të vendeve të huaja. Krejt në fund unë besoj se Kosova do të ketë një ekip shumë të mirë”, tha Xhaka.

Anëtari i reprezentacionit të Zvicrës nuk e ka përjashtuar mundësin që të luaj për përfaqësuesen e Kosovës, kur kjo e fundit të pranohet në FIFA.

“Unë i jam mirënjohës Zvicrës për të gjitha. Jam i lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e FIFA-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim”, theksoi ai.

Në grumbullim me Zvicrën flasin shqip

Në përfaqësuesen e Zvicrës aktualisht janë pesë futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemjali, Admir Mehmedi dhe Granit Xhaka.

Ky i fundit thotë se gjatë grumbullimeve me ekipin helvetik flasin vetëm shqip.“Patjetër që flasim shqip”, ka thënë Xhaka, i cili tregon se Xherdan Shaqiri përkujdeset për humorin në ekip.

Përballja me Shqipërinë e vështirë

Përfaqësuesja e Zvicrës ishte në të njëjtin grup me kombëtaren shqiptare në eliminatoret për Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Xhaka tregon se nuk e kanë pasur aspak të lehtë përballjet me ekipin kuqezi.

“Duhet të them se sidomos periudha kur kemi luajtur kundër Shqipërisë, nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm për ne, futbollistët shqiptarë të Zvicrës por edhe për familjet tona. Të luash në Zvicër dhe të dëgjosh ë fishkëllimat e 13 mijë shqiptarëve kundër teje, nuk është aspak ndjenjë e mirë. Por tash, pasi që Kosova e fitoi të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore në kuadrin e FIFA-s, ky presion ka rënë, situata është bërë më e qetë:, thotë ai.

Xhaka pushon në Kosovë

Xhaka tregon se nuk zgjedh asnjë vend tjetër para Kosovës për të pushuar.

“Në Kosovë shkoj çdo dimër dhe çdo verë. Në fakt unë qe 8 vjet nuk kam bërë fare pushime tjetërkund pos në Kosovë. Nuk lakmoj që të shkoj askund tjetër. Më mjafton Kosova, aty i kam familjarët, gjyshërit dhe të tjerët prandaj atje kaloj më së miri”, thotë Graniti.

Previous articleSpanja s’e njeh Kosovën, por thur lavde për Kombëtaren e Kosovës
Next articleNdeshja e radhës e Kosovës me Turqinë në maj?