Home LAJME Hapet ‘Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2014’

Hapet ‘Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2014’

Nxënës të të gjitha shkollave të mesme nga Mitrovica, Vushtrria dhe Skenderaj, po marrin pjesë në “Panairin e Shkencës dhe Kulturës 2014” që u hap të hënën në Qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, me ç’rast në shumë sektorë janë prezantuar vlerat kulturore, dijet dhe të arriturat nga lëndët që mësohen në këto institucione shkollore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, tha se një organizim i tillë është një ndër shembujt dhe modelet më të mira se si aktivitetet shkollore, por edhe ato ekstra kurrikulare, mund të prezantohen përmes panaireve të tilla për të dëshmuar aftësitë dhe punën e nxënësve, jo vetëm në konkurrencë me komunat tjera, por edhe me vendet tjera të rajonit.

“Teknologjia, shkenca, kultura, pa dyshim se janë fusha tepër të rëndësishme, të cilat edhe në kuptimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës na kanë prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është një arsye që ne si ministri i kemi dhënë mbështetje të rinjve në këto fusha”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka cilësuar këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin, si dhe dëshminë e punës së madhe që bëhet në këto shkolla.

“Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit që bëhet në shkolla, andaj ju do të keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të tilla, sepse ju jeni e ardhmja e vendit”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, drejtori i gjimnazit ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë, Ismet Ferizi, ka shprehur kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, sikurse edhe në të kaluarën, me këtë organizim pasqyrojnë punën e madhe që bëhet në këtë tempull të dijes në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.

“Ju mjekë, politikologë, ekonomistë, në të ardhmen para juve është sfida e jetës dhe përparimit. Në ju shihet vendosmëria dhe guximi për ndërmarrje të reja”, theksoi Ferizi.

Edhe Afërdita Syla, drejtoreshë e organizatës CBM, ka premtuar se mbështetja për të rinjtë nuk do të ndalet vetëm me kaq, por do të vazhdojë, sepse at a janë e ardhmja e këtij vendi.

Ndryshe, ky panair tashmë tradicional që do të zgjasë për tre ditë me radhë, është organizuar nga Këshilli i nxënësve të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM), ndërsa është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, DKRS në Mitrovicë, kolegji IBCM, si dhe disa biznese private nga Mitrovica.

Previous articleDafina Zeqiri si në botën e ëndrrave, kërkon kadillak të viteve ’40
Next article​Egjipt: Partia selefiste përkrahë Sisin për president