Gjilan – Kandidati i LDK-së Lutfi Haziri tha se në Gjilan LDK është fitues edhe për asamblenë komunale, duke thënë se kjo parti tashmë ka 20 mijë vota. Ai tha se fitorja e LDK-së në Gjilan është e madhe dhe është meritë e qytetarëve të Gjilanit dhe i bashkimit të Rugovistëve.
“Gjilani tashmë e ka kryetarin e zgjedhur dhe në i bëjmë thirrje kryetarit kujdestar (Qemal Mustafa) që mos të ushtrojë asnjë veprimtari buxhetore apo implikime të ndryshme të projekteve”, tha ai. Haziri shtoi se fitoren e LDK-së e solli bashkimi i Rugovistëve dhe ekipi i mirë që ishte në listën e këshilltarëve komunal. Haziri ka kërkuar nga Qemajl Mustafa që të delegojë detyrat tek zyrtarët e tjerë sepse sipas tij tashmë LDK ka formuar ekipin e tranzicionit.
“Gjilani duhet të festojë, por koha është t`i kthehemi normalitetit e punës. Unë me këtë rast i siguroj shërbyesit civil se ata janë të mbrojtur dhe votimi i tyre ka treguar se në Gjilan nuk janë shitur shantazhet”, theksoi Haziri në një konferencë për media, transmeton rajonipress. Haziri ndërkaq tha se nuk e ka ndërmend të hyjë në koalicion me asnjë subjekt politikë për balotazh. “Ne kemi ndërtuar një koalicion me qytetarët e Gjilanit të cilët në shumicë i kanë besuar LDK-së dhe kemi një partner Lëvizjen Republikane.
Ne e kemi arritur një rezultat kolosal në Gjilan dhe mendoj se edhe në balotazh besimi në LDK do të rritet edhe më shumë. Ajo që ishte pozitive ishte fakti se në Gjilan nuk pati votues të fjetu”, theksoi Haziri. /RadioRINIA/