Haziri: Njerëzit e artit do t’i përkrah me gjithë kapacitetin tim

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka patur sot në një takim miqësor aktoren e njohur të Shqipërisë Rajmonda Bulku, e cila është kryetare e jurisë së festivalit të dramës në kuadër të festivalit “Flaka e Janarit”, e cila shoqërohej edhe nga prof dr. Josif Papagjoni, prof. dr. Nebi Islami si dhe nga dramaturgu Jahi Jahiu.

Të gjithë të pranishmit i uruan kryetarit Haziri për marrjen e detyrës, ndërsa shprehën gëzimin që ky i fundit tashmë është konfirmuar si kryetar i Gjilanit. Ata  pohuan se tashmë sektori i kulturës e artit me ardhjen e kryetarit Haziri do të jetë në nivel shumë të lartë, marrë parasyshë përvojën e tij të madhe në të gjitha nivelet qeverisëse.

“Ju urojmë përzemërsisht dhe me dashuri të madhe për marrjen e detyrës së kryetarit të Komunës. Jemi gëzuar që je kthyer në mënyrë triumfale. Kthimi në Gjilan, tregon se ky popull të do dhe mezi ka pritur që ju t’i ktheheni Gjilanit”, tha me këtë rast regjisori prof dr. Nebi Islami.

Kryetari Haziri ka falënderuar ata për vizitën, derisa ka rikonfirmuar vullnetin e tij që sektori i kulturës do të jetë ndër prioritetet e tij si kryetar i Gjilanit. Ai theksoi poashtu se do t’i pëkrah me gjithë kapacitetin njerëzit e artit, duke i stimuluar në krijimet e tyre.

Haziri poashtu ka ritheksuar se kulturën, rininë dhe sportin do t’i bëjë drejtori në vete, për të pasur sukses më të madh këto sektore të rëndësishme.

Në këtë takim është vlerësuar lartë ecuaria e deritanishme e festivalit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2014”. /RadioRINIA/