Home LAJME Heqja e votës së dyfishtë, sfidë e vështirë

Heqja e votës së dyfishtë, sfidë e vështirë

Kuvendi i Kosovës gjatë punës së tij, jo rrallë herë është sfiduar nga vota e dyfishtë e pakicës. Së fundmi ka qenë bllokimi i votimit për shndërrimin e FSK në Forca të Armatosura. Mbase me këtë sfidë pritet të përballet edhe legjislatura e ardhshme, pasi kjo është njëra ndër shtyllat më të forta të pakos Ahtisaari, mbi të cilën është hartuar Kushtetuta dhe procedura për ndryshimin e saj është e vështirë.

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh largimin e njëanshëm të votës së dyfishtë. Arsim Bajrami nga PDK dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës thotë se votimi i dyfishtë është një nga shtyllat më të fuqishme të pakos së Ahtisaarit dhe cilido sfidim i kësaj shumice duhet të bëhet me procedura kushtetuese.

“Cila do legjislaturë e re do të ballafaqohet me problemin e shumicës e dyfishtë dhe nëse ka një vullnet politik për ta mënjanuar si instrument i bllokimit atëherë kjo duhet të bëhet në koordinim jo në mënyrë antikushtetuese, sepse ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm, me procedurën të cilën e ka paraparë Kushtetuta . Pra nuk ekziston mundësia që njëanshëm të hiqet shumica e dyfishtë ajo mund të relativizohet, apo të zbutet vetëm mbi bazën e një votimi të dy te tretave të shumicës por gjithmonë edhe me dy të tretat e pakicës kur është në pyetje Kushtetuta”, tha Arsim Bajrami.

Edhe Armend Zemaj nga LDK nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen kjo të ndryshohet për të mirën e vendit dhe të të gjitha komuniteteve në përgjithësi.

“Ne kemi një shtet i cili është krijuar mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare e cila e ka emrin pako e Ahtisarit, kjo nuk është e lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që në të ardhmen e afërt, duhet të konsiderohet si diçka e cila duhet ti hyjë një procesi të ndryshimit, për shumë arsye. E para: Kosova nuk është në gjendjen e viteve të pasluftës, e dyta ; institucionet janë të krijuara me të gjithë mekanizmat e saja dhe të drejtat e minoriteteve janë prej standardeve më të mira ndërkombëtare dhe si temë tjetër është që duhet eliminimi i dyfishtë do të shkojë në të mirë të vendit dhe në të mirë të komuniteteve dhe në të mirë të qytetarëve në përgjithësi”, tha Zemaj, transmeton RTK.

Për Myzejene Selamnin nga AKR çdo ndryshim varet nga marrëveshja paraprake politike.

“Aty ka mundësi të plotësohet apo ndryshohet mirëpo prapëseprapë ajo shkon me marrëveshje politike në mes të gjithë partive politike që janë në Kuvend të Kosovës. Nuk guxojmë të luajmë ashtu për arsye që ne po mundohemi që ti integrojmë të gjithë serbët dhe të gjitha minoritetet në institucione dhe marrëveshja me Serbinë është bërë që edhe pjesa veriore të integrohet”, tha Selmani.

Edhe Ardian Gjini nga AAK thotë se secili vend përcakton mundësinë e ndërrimit të Kushtetutës edhe pse kjo është procedurë e vështirë në rrethanat e Kosovës.

“Kushtetuta e përcakton saktë se cilat janë mënyrat për me u ndërru kushtetuta. Gjitha kushtetuta e përcaktojnë kështu njëjtë. Për me u ndërru ajo prapë duhet të përdorën dy të tretat e dyfishta. Gjithmonë e kemi ndëgju që demokracia është e vështirë edhe e ngadalshme, ne jemi dëshmitarë që është ashtu, por me qenë më funksionale, njerëzit duhet të angazhohen më shumë sidomos ata që janë në pushtet. Nëse mungon angazhimi i njerëzve në pushtet nuk mund të ketë funksionin më institucioneve”, thotë Gjini.

Kurse Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se vota e dyfishtë i ka bërë shumë dëme Kuvendit të Kosovës prandaj Kushtututa duhet të ndërrohet.

“Është e qartë se Kushtetuta e Kosovës po shihet për çdo ditë me disa prej neneve dhe mekanizmave që i ka të përbrendësuar nga plani i Ahtisaarit do të jetë pengese e vazhdueshme e funksionalizimit të Kosovës dhe rrjedhimisht që kjo kushtetutë për tu bërë taman e Kosovës dhe qytetarëve të saj duhet të ndryshohet. Lëvizja vetëvendosje e ka edhe në alternativën e vet të qeverisë dhe insiston që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë kushtetutë që garanton këtë barazinë e qytetarëve edhe karshi votës edhe karshi institucioneve”, tha Ymeri.

Ymeri tha se në praktikë, vota e dyfishtë e la Kosovën edhe pa Forca të Armatosura, prandaj, sipas tij, Neni dy pika dy e Kushtetutës parasheh mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës.

Previous articleHaziri: LDK do t’i fitojë zgjedhjet në Anamoravë
Next articleMarrëveshja për regjistrat kadastralë mbetet e pazbatueshme