Home LAJME Historia e një varri të zbrazët në veri të Mitrovicës

Historia e një varri të zbrazët në veri të Mitrovicës

Dëshirat për t’u varrosur pranë varrit të Xhevahires të cilin po e rregullonin 24 vite më parë në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës, patën nxitur bisedë të pazakontë mes dy familjarëve, mirëpo koha dëshmoi se më kot shtyheshin dikur dhëndër e mik, sepse rrethanat e krijuara në këtë qytet, bënë që varri akoma të mbetet i zbrazët.

Rexhep Jashari nga Mitrovica, në vitin 1990, kur e kishte rregulluar varrin e bashkëshortes së tij Xhevahires, në varrezat e qytetit në veri të Mitrovicës, pranë varrit të saj kishte lënë një hapësirë, si varr të vetin kur të vdes.

Ky varr, i cili vazhdon të jetë i zbrazët, ka edhe pak histori interesante, që vetëm koha din ta bëjë.

Në të vërtetë, bashkë me Rexhepin kur po e rregullonte varrin e gruas, atë ditë ishte edhe miku i tij, përkatësisht i vëllai i Xhevahires, Xhelal Zaimi.

Në momentin kur po rrethohej me beton varri i Xhevahires dhe aty pranë saj, brenda të njëjtës rrethojë po lihej vend edhe për një varr, për të cilin Rexhepi thoshte se e dedikonte për vete, ngriti zërin edhe miku i tij, Xhelali, duke thënë se “valla bre dhëndër, këtu pranë motrës time është më mirë të varrosem unë, sesa ti”.

Dhe kështu, biseda u bë më interesante, por dëshirat për t’u varrosur në varrin pranë Xhevahires, ishin vërtetë të njëmendta.

Folën sa folën, por nuk gjetën marrëveshje mirëkuptimi se kush të varroset aty.

Atëherë ndërhynë të tjerët, duke i dhënë hak, herë njërit e herë tjetrit. Dhe në një moment ndërhyri dhëndëri i Xhevahires dhe Rexhepit, duke propozuar që në varrin e zbrazët, të rrethuar e të bërë gati, të varroset ai që do të vdiste i pari.

Si duket, ky propozim i përafroi qëndrimet e Rexhepit dhe të Xhelalit, sepse ata e pranuan propozimin, duke buzëqeshur nga pak, sepse ishte e qartë se vdekja, megjithatë nuk i pëlqente asnjërit prej tyre.

Vazhdoi kështu të mirëmbahej varri i Xhevahires dhe tjetri i zbrazët, deri në luftën e fundit në Kosovë.

Dhe, çfarë fati dhe ironie solli koha. Rexhepi u vra gjatë luftës. Kjo dihet sepse trupin e pajetë të tij e kishin parë disa fqinj afër shtëpisë së tij, por kufoma e tij nuk is hte gjetur për 12 vjet me radhë. Më në fund, eshtrat e tij u identifikuan përmes ADN-së. Por, fatkeqësisht, mbetjet e tij mortore nuk ishte e mundur të varroseshin në varrezat e qytetit në veri, pranë bashkëshortes Xhevahires, për shkak se nuk lejonin bandat serbe, që e kontrollonin veriun e qytetit. Eshtrat u varrosen në varrezat e martirëve, në Shipol të Mitrovicës.

Ndërkaq, Xhelali, një qytetar i vjetër nga Mitrovica, tani rreth 90 vjeçar, vazhdon të jetojë në pjesën jugore të qytetit.

Ai thotë se bandat kriminale serbe e rrahën dhjetëra herë pas lufte, ia dogjën shtëpinë gjatë luftës në veri të qytetit, dhe pas lufte ia shkatërruan disa herë, pasi që herë-herë meremetonte nga pak në të.

“Eh, sot nuk kam shpresë se do të mund të varrosem pranë së motrës dhe pranë familjarëve tjerë që të gjithë i kam atje, meqë ekstremistët serbë ende nuk po lejojnë varrosjet e shqiptarëve nga pj esa jugore, në varrezat në veri”, thotë Xhelali.

Sipas tij, varri i hapur para shumë vitesh pranë Xhavahire Zaimit-Jasharit në veri të Mitrovicës, që në vete ngërthen histori, për ironi të kohës vazhdon të mbetet i zbrazët.

“Se si do të jetë nesër, nuk e di askush. Por, shanset për t’u varrosur një ditë kur e ka thënë Zoti, pranë bashkëshortes, nuk duhet humbur”, rrëfen plot nostalgji Xhelali.

Previous article16 vjet nga Beteja e Llapushnikut
Next articleFat në fatkeqësi: Gjendet i gjallë pas 17 vjetësh i bllokuar në minierë